Pas shpërthimit shkatërrues Bejruti ngrihet në protestë: Gaz lotsjellës kundër demonstruesve antiqeveritar
Forcat libaneze të sigurimit të enjten vonë hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë dhjetëra demonstrues antiqeveritar të zemëruar nga shpërthimi kataklizmik që shihet gjerësisht si shprehja më tronditëse akoma e paaftësisë së qeverisë së tyre.
Përleshjet në Bejrutin qendror ndodhën në një rrugë të shkatërruar që çon në parlament, ku copëzat e shpërthimit të së martës ende ishin prezente në të gjithë zonën.
Protestuesit ndezën zjarre, vandalizuan dyqane dhe hodhën gurë mbi forcat e sigurisë, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të drejtuar nga shteti.
Policia u përgjigj me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e vogël, por qartësisht të tërbuar, duke plagosur disa demonstrues, tha NNA.
Shpërthimi i së martës vrau gati 150 njerëz, plagosi të paktën 5,000 dhe shkatërroi rrethe të tëra të kryeqytetit.
Autoritetet libaneze thanë se ajo ishte shkaktuar nga një zjarr që ndezi 2,750 ton nitrat amoniumi të ruajtur në mënyrë të pakujdesshme në një depo në portin e Bejrutit që nga 2013.
Kjo shtroi pyetje se si një ngarkesë kaq e madhe e substancës shumë eksplozive mund të ishte lënë e pasigurt për kaq gjatë.
Shpërthimi erdhi ndërsa Libani ishte tashmë i thellë në krizën e tij më të keqe ekonomike që nga lufta civile 1975-1990.
Kjo ngjarje shtoi ankesat e një lëvizje proteste që u shfaq në tetor për të kërkuar heqjen e një klase politike që konsiderohet e pavlefshme dhe e korruptuar.
Aktivistët kanë bërë thirrje për një demonstrim të madh antiqeveritar të Shtunën – një ngjarje që ata e kanë titulluar “varini ata”.
Përleshjet e së enjtes shpërthyen ndërsa ambasadori i Libanit në Jordan dha dorëheqjen, duke thënë se ajo që ndodhi ishte një “pakujdesi totale” nga autoritetet e vendit që sinjalizoi nevojën për një ndryshim lidershipi.
Është dorëheqja e dytë e këtij lloji pas shpërthimit të së martës, pasi ligjvënësi Marwan Hamadeh gjithashtu u tërhoq të Mërkurën.(France24)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.