Pas Shqipërisë, edhe Ukraina miraton marrëveshjen për heqjen e vizave. Vendimi favorizon turizmin
Këshilli i Ministrave në Ukrainë ka miratuar marrëveshjen e nënshkruar me Shqipërinë për heqjen e vizave. “Ukrinform” raporton se “teksti i marrëveshjes mes qeverisë së Ukrainës dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë nuk është publikuar ende dhe pika specifike të tij janë të panjohura”.
Marrëveshja bën të mundur që qytetarët e të dy vendeve të hyjnë, udhëtojnë dhe të qendrojnë në territorin e vendit tjetër pa viza për rreth 90 ditë për një periudhë 6 mujore.
Marrëveshja mes dy qeverive është miratuar gjatë vitit 2016 e ka në fokus rritjen e shkëmbimeve mes dy vendeve. Në deklaratën e përbashkët të muajit nëntor të vitit të kaluar kur ministri i Jashtëm ukrainas ishte në Tiranë, u theksua fakti se heqja e vizave mes dy vendeve do të ketë një impakt të rëndësishëm në drejtim të lehtësimit të kontakteve mes qytetarëve, por dhe në intensifikimin e komunikimit mes biznesmenëve.
Vendimi për heqjen e vizave me Ukrainën u miratua nga qeveria shqiptare më pak se 2 muaj më parë. Liberalizimi i vizave pritet të ketë impakt në turizëm. Tashmë agjencitë turistike shqiptare kanë nënshkruar kontrata për tërheqjen e turistëve nga Ukraina, nga ku gjatë sezonit veror ofrohen linja direkte. Referuar të dhënave zyrtare, gjatë sezonit turistik numri i turistëve nga Ukraina ka shënuar rritje me 111%.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.