Pas takimit të Di Maio me jelekverdhët – Franca tërheq ambasadorin e saj nga Roma për “konsultime”
Franca tërheq ambasadorin e saj në Romë. Ministria e Jashtme Franceze ka deklaruar këtë enjte se ka tërhequr ambasadorin për konsultime pas një seri “provokimesh” nga Roma.
“Për disa muaj Franca ka qenë subjekt i akuzave të përsëritura, sulmeve të pabazuara dhe deklaratave të ashpra, që të gjithë e dinë dhe mund ta kenë në mendje”, tha ministria franceze në një deklaratë.
Ministria shtoi se sulmet e supozuara ishin “të pashembullta që nga fundi i luftës”.
Ky veprim erdhi një ditë pasi Franca denoncoi një takim “të papranueshëm” midis zëvendës-kryeministrit populist të Italisë, Luigi Di Maio dhe liderëve të protestuesve francezë të quajtur “jelek verdhët”.
Di Maio u takua me Christophe Chalencon, një organizator i majtë i “jelek verdhëve” nga jugu i Francës, pranë Parisit.
Në një status në twitter, Di Maio shkroi: “Erërat e ndryshimit kanë kaluar nga Alpet”.
“Ky provokim i ri është i papranueshëm midis vendeve fqinje dhe partnerëve në zemër të BE”, tha ministria e jashtme franceze për takimin e së mërkurës.
Tensionet midis Macron dhe dy zëvendëskryeministrave të Italisë, Matteo Salvini nga partia e krahut të djathtë dhe Di Maio, janë ndezur që nga zgjedhja e tyre në qershor për çështjet rreth migrimit dhe buxhetit të Italisë.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.