Pasiguria nga Brexit – Përgjysmon investimet e reja në industrinë e makinave
Pasiguria nga Brexit ka përgjysmuar investimet e reja në industrinë britanike të makinave, ndërkohë që planet e Theresa May për tregtinë pas vitit 2019 nuk janë realiste. Investimet e reja në fabrika, makineri, mjete dhe pajisje, modele dhe zhvillim modelesh, ranë në 347 milionë paund nga Janari në Qershor 2018, nga 647 milionë që ishin në gjysmën e parë 2017. “Ekzistojnë shqetësime nga ritmi i ngadaltë i negociatave.
Qeveritë duhet të ndryshojnë qasjen mbi unionin doganor”, deklaron shoqata tregtare e industrisë motorike në Britani. Ndërkohë që vetëm 9 muaj kanë mbetur nga dalja e Britanisë, ka ende shumë paqartësi mbi tregtinë, ndërkohe që Kryeministrja Theresa May, nuk ka arritur ende një marrëveshje me bllokun. Nën afatin kohor aktual, Londra dhe Brukseli synojnë që të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për Brexit në Tetor, në mënyrë që të ketë kohë mjaftueshëm që të ratifikohet deri në Mars 2019.
Se si do të jetë marrëdhënia e ardhshme me bllokun më të madh tregtar në botë është ende e paqartë. Liderët e bizneseve janë irrituar prej idesë që Britania të dalë pa arritur një marrëveshje mbi tregtinë. Thuajse 52% e tregtisë totale në mallra e Britanisë prej 1.1 trilionë dollarë vitin e kaluar është zhvilluar me BE, kështu që May do të duhet të nënshkruajë një marrëveshje të tregtisë dhe arrijë një dakordësi për doganat.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.