Pasojat e krizës politike, Sejko: Nëse zgjatet, dëmton ekonominë
Zgjatja dhe përshkallëzimi i tensioneve politike do të japin pasoja në ecurinë e ekonomisë së vendit.
I pyetur nga mediat pas raportimit në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se tensioni politik përcjell pasiguri në ekonomi dhe mund të frenojë projektet e investimit të bizneseve.
Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, deri tani kriza politika nuk është reflektuar në treguesit kryesorë makroekonomikë dhe as në vrojtimet e deritanishme të besimit të biznesit.
Për tremujorin e parë të vitit, treguesi i ndjesisë ekonomike rezultoi sërish në rritje. Megjithatë, thellimi i krizës në javët e fundit dhe pasiguria për atë që mund të ndodhë në të ardhmen e afërt mund të kenë një ndikim të rëndësishëm negativ në ecurinë e ekonomisë gjatë këtij viti.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.