Pasojat e mundshme nga Brexit – Banka e Irlandës fond 2 miliardë euro për bizneset e vogla dhe të mesme
Banka e Irlandës ka deklaruar se do të rezervojë 2 miliardë euro për kreditimin e bizneseve të vogla dhe të mesme që kanë nevojë për kapital për t’u përshtatur me sfidat e largimit të Britanisë nga bashkimi Europian.
Banka qendrore e Irlandës ka thënë se një Brexit pa marrëveshje mund të ketë efekte shumë të rënda dhe menjëherë shkatërruese në pothuajse të gjitha fushat e ekonomisë së Irlandës.
Sipas vlerësimit të bankës qendrore, Britania e dalë nga BE pa një marrëveshje mund të godasë me 4 pikë përqindjeje ritmet e rritjes ekonomike të Irlandës, dhe deri në 6 pikë përqindjeje gjatë një dekade.
“Ky fond prej 2 miliardë euro do të sigurojë mbështetje për bizneset pavarësisht se si Britania e Madhe del nga BE”, tha Gavin Kelly, Drejtor i Përgjithshëm i tregtisë më pakicë në Bankën e Irlandës.
“Shumë do të duhet të adoptojnë mënyrën e funksionimit të tyre, pasi se si ata veprojnë, pasi rezultati i Brexit bëhet më i qartë. Brexit nuk është ‘biznes si zakonisht’,” tha ai.
Një zëdhënëse e Bankës së Irlandës tha se fondi është për kreditimin e ‘pas Brexit’ dhe gjithashtu do të mbështesë bizneset që kanë shtyrë planet për shkak të pasigurisë së rritur në treg nga negociatat e Brexit.
“Disa nga këto biznese nuk kanë marrëdhënie me ose përmes Mbretërisë së Bashkuar, por kanë vendosur të presin deri sa të njihet rezultati për të vazhduar me planet e tyre”.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.