Pasojat e trazirave në Hong Kong/ Banka e Anglisë: ”Kanë shkaktuar daljen e kapitalit prej 5 miliardë dollarë”
Trazirat në Hong Kong kanë shkaktuar një dalje të kapitalit nga fondet e investimeve në qendrën financiare të Azisë prej 5 miliardë dollarë, sipas një raporti të Bankës së Anglisë. Dalja e kapitalit, që arriti vlerën e 1.25% të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit, nisi pasi qeveria mbështeti ligjin që do lejonte ekstradimet në Kinë.
Ndërkohë që protestat kundër ligjit u bënë më të ashpra dhe sollën përplasje të dhunshme me policinë, shitjet me pakicë treguan rënie dhe qyteti hyri në recesionin e parë në një dekadë.
“Këto tensione politike përbëjnë rrezik, duke marrë parasysh pozitën e Hong Kongut si qendër gjigante financiare”, theksoi raporti.
Banka e Anglisë e monitoron Hong Kongun për shkak se banka britanike si HSBC dhe Standard Chartered janë liderë atje. Bankat kanë kaluar provën e rezistencës të institucionit, që modeloi një rënie me thuajse 8% të PBB të Hong Kongut dhe një rënie të çmimit të pronave me thuajse 50%. Goldman Sachs bëri të ditur se rreth 4 miliardë dollarë depozita mund të jenë larguar nga Hong Kongu drejt Singaporit në tre muajt e Verës. Megjithatë, Autoriteti Monetar i Hong Kongut ka deklaruar vazhdimisht se nuk ka shenja të daljes së kapitalit nga vendi.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.