Pastrimi i bregdetit dhe rrugëve për sezonin turistik, ushtria nis aksionin
Forcat e Armatosura nisën edhe këtë vit aksionin për pastrimin e disa akseve rrugore dhe zonave bregdetare për sezonin turistik veror për vitin 2017.
Ministria e Mbrojtjes njofton se veç pastrimit të rrugëve dhe zonave të frekuentuara nga turistët, ky aksion ka për qëllim edhe ndërgjëegjësimin e qytetarëve për mbajtjen pastër të mjedisit. Ministrja e Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, ndoqi nga afër punën e efektivëve të cilët po bëjnë të mundur pastrimin e aksit të Morinës dhe i falënderoi ata për të gjithë punën e bërë.
Ndërkohë, ministrja Kodheli përcolli edhe një mesazh për çdo biznes, qytetar si dhe turist. Ajo u bëri thirrje ta konsiderojnë ambientin e përbashkët si ambientin e tyre. Në të njëjtën kohë znj. Kodheli ftoi strukturat dhe institucionet përgjegjëse që në këtë periudhë të shtimit të fluksit, të shtojnë kërkesën e llogarisë apo të inspektimit në zona.
“Kemi dhënë shembullin personal si Forcë e Armatosur, si Ministri e Mbrojtjes duke qenë prezent në të gjitha akset kryesore, në të gjithë rrugët kryesore për t’i pasur ato, të rregullta dhe mikpritëse për çdo turist që vjen nga jashtë, apo që këtu largohet për jashtë”, u shpreh ministrja Kodheli. Pastrimi i aksit të Morinës po bëhet i mundur nga efektivët e DMR Kukës (Drejtoria Mbështetëse Rajonale). Ky aksion do të shtrihet edhe në zonat e tjera turistike dhe do të vazhdojë gjatë gjithë sezonit veror.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.