Pastrimi i lumenjve, Klosi: Ndërhyrje emergjente. Qeset plastike do trajtohen si mall
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka paralajmëruar masa drastike për uljen e ndotjes në lumen.
Duke u ndalur tek qeset plastike si një ndër ndotësit që hasen më shpesh, ministri u shpreh se brenda muajit shkurt qeveria pritet të marr një vendim për trajtimin e tyre. Ashtu sikurse në gjithë botën, qeset do të vlerësohen si mall.
“Jemi tashmë në bisedime me shoqatat e prodhuesve të këtyre qeseve plastike, dhe kemi rënë dakord që vendimi i qeverisë të bëhet brenda këtij muaji dhe besoj do të kemi në stopim të fortë të qeseve të pa biodegradueshme. Po e njëjta situatë edhe me plastikën, na duhet të bëjmë atë që bën gjithë bota, e trajton si një mall”.
Klosi u ndal edhe tek importi i makinave të vjetra duke bërë të qartë së brenda 6 muajve të operacionit të pastrimit, do të merren vendime për të zgjidhur njëherë e mirë problematikat me trajtimin e tyre
“Nuk ka as Kosova as Maqedonia, as Mali i Zi, e për më tepër Kroaci e më sipër, që të pranojnë që në vendin e tyre të importohen makina me vjetërsi jashtë çdo mase dhe që krijojnë një ndotje kaq të madhe. Pra jemi në përgatitje në disa fusha, e disa vendimeve të shpejta, të cilat brenda gjatë mujorit që ne kemi aksionin “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”, ne do të përpiqemi që të vëmë në rrugën e zgjidhjes një sërë problematikash”.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit u shpreh se qeveria do të mundësojë investimin në 12 lumenjtë për të bërë të mundur shmangien e ndotjes.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.