Pasuritë e konfiskuara, në një regjistër – Do pasqyrohen pronarët, lloji i pronës, aksionet, kuotat, si dhe fitimet nga shitja e qiraja
Pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara të krimit e të korrupsionit do të përmblidhen në një regjistër të posaçëm ku do të pasqyrohen në një regjistër të posaçëm ku do të detajohen të dhënat nga lloji i pronës apo llogarisë bankare, deri te fitimet që ato do të sigurojnë për llogari të buxhetit të shtetit. Përmes një vendimi të publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare këshilli i Ministrave ka caktuar rregullat për përmbajtjen, formën e Regjistrit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, si dhe për përcaktimin e organeve publike apo subjekteve që kanë të drejtë qasjen në informacionin e tij.
Aty do të pasqyrohet emërtimi i plotë i pasurisë; subjekti; statusi I pasurisë, si dhe lloji, ku specifikohet nëse bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme; të luajtshme; llogari bankare; shoqëri tregtare, kuotat apo aksionet e shoqërisë.
Më herët, Ministria e Brendshme ka përcaktuar mënyrat si do gjenerohen të ardhura nga pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara të krimit, ashtu si dhe rastet kur ato do të kalojnë në buxhetin e shtetit apo për mirambajtjen e këtyre pronave.
Në dokument përcaktohet se Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara përfiton të ardhura nga: a) dhënia me qira e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara; b) interesat bankare të depozitave të siguruara; c) pasuritë e konfiskuara (llogari bankare); ç) shitja e pasurive të konfiskuara; d) si dhe të ardhurat nga shitja e pasurive të luajtshme të sekuestruara, të cilat me kalimin e kohës prishen, dalin jashtë përdorimit apo u bie vlera në mënyrë të ndjeshme dhe është marrë vendim nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar për shitjen e tyre.
Të ardhurat nga sa më sipër do të depozitohen në një llogari rrjedhëse me emërtimin “Të ardhura e shpenzime për pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara në administrim të AAPSK”, të çelur nga Agjencia në një bankë të nivelit të dytë, me urdhër të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike.
Ndërkaq, në urdhër Ministria përcakton se Të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara përdoren nga AAPSK-ja, vetëm për qëllime të shpenzimeve për këto pasuri. Të ardhurat nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, nuk mund të përdoren për paga, apo shpërblime të personelit të brendshëm të Agjencisë.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.