Paundi “fshin” Brexit – Në 1.4377 ndaj dollarit, prek nivelin më të lartë që prej referendumit
Paundi britanik u rrit në nivelin më të lartë që prej referendumit të 2016-ës, ku britanikët votuan për të dalë nga Bashkimi Europian. Valuta u tërhoq lehtë pas publikimit të të dhënave mbi rritjen e pagave, që rezultuan poshtë pritshmërive.
Paundi u rrit në nivelin më të lartë në 22 muaj kundër dollarit, duke marrë nxitje nga flukset hyrëse nga kompanitë e huaja që kanë paguar dividentët drejt aksionerëve britanikë si dhe prej reduktimit të shqetësimeve mbi daljen e ç’rregullt nga Bashkimi Europian në vitin e ardhshëm.
Kjo performancë u limitua nga të dhënat mbi tregun e punës, që treguan se të ardhurat totale për punonjësit britanikë ishin rritur poshtë projeksioneve në Shkurt. Pagat u rritën me 2.8%, normë e pandryshuar nga Janari dhe poshtë projeksioneve për 3% rritje.
Paundi preku 1.4377 kundër dollarit ditën e Martë, duke u tërhequr fare pak në 1.4332 më vonë gjatë ditës. Të dhënat janë të rëndësishme për shkak se Banka e Anglisë ka deklaruar se kërkon të shohë rritje të pagave përpara se të vazhdojë tkurrjen monetare.
Investitorët presin rritjen e normës bazë të interesit me 0.25% në muajin Maj. Sipas analistëve, të dhënat nuk pritet të ndikojnë te pritshmëritë për muajin e ardhshëm.
Rënia e vazhdueshme e dollarit ka mbështetur gjithashtu fuqizimin e paundit pavarësisht të dhënave të dobëta mbi ekonominë këtë muaj. Sterlina u fuqizua gjithashtu kundër euros, duke prekur 1.1582, që është niveli më i lartë që prej Majit 2017.
Shumë faktorë kanë mbështetur rimëkëmbjen e valutës gjatë kohëve të fundit, si përmirësimi i besimit në tregje se Britania mund të arrijë një marrëveshje me Bashkimin Europian dhe pesimizmi mbi axhendën e Donald Trump, që ka dobësuar dollarin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.