Pavarësia “e pezulluar” e Katalonjës – Puigdemont kërkon negociata dhe dialog me Madridin
Lideri i Katalonjës, Carles Puigdemont, në një fjalim në parlamentin rajonal, ka shpalosur planet e tij për të ardhmen e provincës, që përfaqëson rreth 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Spanjës.
Në të kundër nga sa pritej, Puigdemont nuk shpalli pavarësinë, por propozoi pezullimin e rezultatit të referendumit për disa javë dhe zhvillimin e negociatave me qeverinë qendrore në Madrid.
Gjithsesi, lideri i Katalonjës paralajmëroi se nuk do të tërhiqet nga rruga drejt pavarësisë. “Ishte hera e parë që një votim zhvillohej nën sulmin e policisë, e kjo për shkak se qeveria spanjolle është sjellë në një mënyrë agresive ndaj nesh. Megjithatë, më shumë se dy milionë njerëz mposhtën frikën dhe dolën për të votuar”, tha në fillim të fjalës së tij, Carles Puigdemont.
“Tashmë ka ardhur momenti deciziv për Katalonjës. Unë si president ndjek vullnetin e popullit për ta shpallur të pavarur Katalonjën. Por dua të marr ende kohë për t’i dhënë mundësi dialogut, duke pezulluar efektet e shpalljes së pavarësisë për disa javë”, shtoi Puigdemont.
Sipas tij, çështja katalanase nuk është një çështje e brendshme, por e të gjithë Europës. “Që prej përmbysjes së diktaturës së Frankos, Katalonja ka kontribuar gjithnjë për demokraci dhe paqe, sepse kjo është e vetmja rrugë për të ecur përpara”, përfundoi lideri i Katalonjës.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.