Pavioni i Këmbës Diabetike do t’i nënshtrohet rikonstruksionit – Ja detajet e investimit
Pavioni i Këmbës Diabetike në Spitalin Universitar të Traumës do t’i nënshtrohet së shpejti rikonstruksionit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hapur procedurat e tenderimit për rehabilitimit e kësaj godine.
Fondi limit i parashikuar për këtë investim kap vlerën e 56.1 milionë lekë pa TVSH dhe 67.3 milionë lekë më TVSH.
Nga detajet e projektit, është parashikuar krijimi i një hapësirë për të vogël për pritje dhe recepsion si dhe do të bëhet njëkohësisht vendosja e një ashensori. Po ashtu, grafiku i punimeve përfshin një ndarje dhe një riorganizim të dhomave të objektit.
Ndërkohë, bazuar në relacionin e projektit, është parë si domosdoshmëri nevoja e një salle operacionesh si dhe e dhomave të tjera specifike në afërsi të saj, gjë e cila do të bëhet e mundur duke adaptuar dy ambiente ekzistuese.
Ambientet e parashikuara do të jenë si më poshtë:
- 6 dhoma mjekesh dhe konsultash, ku 4 do të jenë në katin përdhe në afërsi të hyrjes dhe sallës së pritjeve dhe 2 në katin e parë
- 16 dhoma shtrimi me kapacitet prej 1, 2, 3 shtretërish
- 2 salla pritjesh
- 1 sallë operacionesh
- 2 infermieri
- 4 zyra
Ndërkohë, pritet të bëhen ndërhyrje po ashtu në rrjetin elektrik të godinës si dhe në muret e saj, gjendja aktuale e të cilëve paraqitet në kushte jo të mira për shkak të lagështisë.
Operatorët ekonomikë do të mund të dorëzojnë ofertat e tyre deri më 3 tetor 2018, ndërsa sa i takon kontratës është parashikuar një periudhë kohore prej 3 muaj që nga firmosja e saj.
Pavioni i Këmbës Diabetike është një ndër spitalet më të rëndësishëm të vendit, i themeluar që prej vitit 1929.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.