PD, kundër amnistisë fiskale, Tabaku: Shqipëria si parajsë për krimin e organizuar dhe terrorizmin
Partia Demokratike akuzon qeverinë se me projektin për amnistinë fiskale. Ish deputetja Jorida Tabaku, në një deklaratë për mediat thotë se ky projekt e kthen vendin në parajsën e krimit financiar ndërkombëtar dhe në vendstrehim për persona që financojnë aktivitete terroriste.
“Projekti i kryeministrit në ikje për aministinë fiskale e kthen vendin në parajsën e krimit financiar ndërkombëtar dhe madje në vendstrehim për persona që financojnë aktivitete terroriste. Në ligjin që kryeministri në ikje duhet ta tërheqë menjëherë, çdo i huaj që ka një biznes në Shqipëri mund të deklarojë dhe të ligjërojë paratë e tij pa u pyetur për burimin e tyre.
Ata fshihen pas pretendimit se po ndihmohen gjoja emigrantët, por në fakt do të pastrojnë paratë përmes akteve kriminale të kësaj qeverie në ikje. Emigrantët shqiptarë që jetojnë me sakrifica dhe punë të ndershme nuk përfitojnë nga ky ligj, sepse ai nuk po bëhet për emigrantët, por për trafikantët ndërkombëtarë të drogës.”
Tabaku paralajmëron se nëse kryeministri Rama nuk tërhiqet, PD në qeveri do ta shfuqizojë këtë ligj me efekt prapaveprues
“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar, deklarojnë sot para shqiptarëve, para partnerëve tanë strategjikë SHBA dhe BE, dhe para subjekteve potenciale të këtij projekt-ligji, se nëse kryeministri në ikje nuk tërhiqet nga ky ligji korruptiv, ne do të zhbëjmë me efekt prapaveprues çdo dispozitë dhe përfitim nga ky ligj.”
Ish deputetja e PD vijon më tej se me ligjin e amnistisë fiskale, kryeministri po e thellon kursin e tij të përplasjes me partnerët strategjikë SHBA dhe Bashkimin Europian dhe po godet interesat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për llogari të krimit të organizuar dhe pushtetit të tij personal.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.