PD, letër Kolegjit Zgjedhor – I kërkon pezullimin e mandateve për Këshillat Bashkiakë
Partia Demokratike i ka dërguar një letër Kolegjit Zgjedhor, ku i kërkon pezullimin e mandateve për Këshillat Bashkiakë, ndërsa duhet të vendosë Gjykata Kushtetuese. Letra e opozitës është shkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, para nisjes së shqyrtimit në kolegj të çështjeve për shpërndarjen e mandateve të këshilltarëve bashkiakë.
Në letër, që për dijeni i dërgohet edhe OSBE/ODIHR-it, ambasadës amerikane, misionit të Bashkimit Europian, si dhe ambasadave kryesore në Tiranë, thuhet: “Shoqata e Bashkive ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë për kushtetutshmërinë e votimeve të 30 Qershorit. Pa u shqyrtuar çështja në Gjykatën Kushtetuese, Kolegji Zgjedhor ka pengesë ligjore për të bërë shpërndarjen e mandateve të Këshillave monopartiake Bashkiake”.
Po ashtu, opozita thotë se ligji detyron Kolegjin të mos marrë vendim pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese mbi kushtetutshmërinë e Dekreteve të Presidentit. “Standardet e shqyrtimit gjyqësor të mosmarrëveshjeve janë në rrezik nga presioni i vetting-ut mbi disa anëtarë të Kolegjit Zgjedhor. Vendimet e deritanishme të Kolegjit Zgjedhor, të pambështetura në ligj dhe të motivuara politikisht, sipas interesit të Qeverisë.
Partia Demokratike përmend edhe të paktën dy çështje, që janë konstatuar edhe nga Misioni i Vëzhguesve të OSBE/ODHIR: regjistrimi i “Bindjes Demokratike” në kundërshtim me ligjin nga KQZ dhe mohimi i së drejtës të opozitës për të pasur komisionerë në votim. Gjithashtu, opozita i bën thirrje Kolegjit Zgjedhor që t’i shërbejë interesit publik përpara interesit privat, i cili po përdoret nga Rama për të krijuar drejtësinë e tij private.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.