Pekini akuzon SHBA – “Po përhap panik mbi koronavirusin dhe nuk ka ofruar ndihmë”
Pekini akuzoi Shtetet e Bashkuara për përhapjen e panikut mbi koronavirusin, duke tërhequr qytetarët e vetë nga Kina dhe kufizuar fluturimet, në vend që të ofrojë ndihmë. Shtetet e Bashkuara ishin kombi i parë që nisën largimet nga Kina, paralajmëruan për fluturimet drejt vendit dhe që prej fundjavës, kanë ndaluar hyrjen e personave që kanë qenë së fundmi në Kinë.
“Washingtoni ka përhapur panik në mënyrë të vazhdueshme”, deklaroi Ministria e Jashtme në Kinë, duke shtuar se Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka këshilluar ndalimin e tregtisë dhe fluturimeve. “Vendet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara, që kanë aftësi të mëdha të parandalimit të epidemive, kanë qenë të parat në kufizimin e udhëtimeve, ndryshe nga rekomandimet e OBSH”, tha Hua Chunying, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Kinë.
Ajo përmendi gjithashtu mungesën e ndihmës nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që Presidenti Donald Trump tha se vendi ka ofruar “ndihmë të jashtëzakonshme”. Tensionet mbi koronavirusin vijnë ndërkohë që 2 ekonomitë më të mëdha në botë sapo kanë nisur përmirësimin e marrëdhënieve, pas 18 muajsh të luftës tregtare. Trump tha gjatë fundjavës se Shtetet e Bashkuara kanë “zhdukur” kërcënimin e koronavirusit. Singapori, Australia, Zelanda e Re dhe Vietnami kanë vendosur gjithashtu kufizime të udhëtimit drejt kinës, ndërkohë që shumë kombe të tjera kanë evakuuar qytetarët e vetë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.