Peleshi: Agroturizmi si hotel me 5 yje, moda e re e biznesit! Do të mbështesim edhe produktet tipike të zonave
“Agroturizmi tani trajtohet si një hotel me 5 yje, në kuptimin e lehtësirave fiskale”. Kështu ka deklaruar, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi nga fshati Vreshtas, në qarkun e Korçës.
Në fjalën e tij ministri Peleshi ka nxitur fshatarët e kësaj zone, por dhe të gjithë banorët e zonave rurale me potenciale turizmi, të investojnë në këtë sektor të ri, që është agroturizmi, që sipas ministrit është kthyer sot në një nga “trendet e zhvillimit rural” në Shqipëri.
Në mbledhjen e fundit qeveria shqiptare miratoi një paketë fiskale, me lehtësira të shumta për agroturizmin, duke ulur TVSH-në nga 20 % në 6 %. Dhe taksën e tatim-fitimit nga 15 % në 5 %. Ne këtë prizëm dhe taksa që paguhet për një ndërtim të ri, taksa e ndikimit në infrastrukturë u bë zero.
“Para dy ditësh kemi miratuar, në mbledhjen e qeverisë disa lehtësi fiskale shumë të mëdha. Agroturizmi tani trajtohet si një hotel me 5 yje, në kuptimin e lehtësirave fiskale. TVSH-ja u bë nga 20 % në 6 %. Ajo taksa e tatim-fitimin u bë nga 15 % që e ka një ndërmarrje normale, u bë 5 %” tha Peleshi. Në vijim të fjalës së tij, ministri ka premtuar gjithashtu dhe mbështetje për prodhimet tipike të zonave, të cilat sipas tij krijojnë të ardhura të shtuara në ekonominë familjare, duke nxitur krijimin e punishteve të vogla, që përveç të tjerave do të shërbejnë dhe si burim punësimi, kryesisht për gratë e zonave rurale.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.