Penalizohen ndotësit e “Erzenit” – Revokohen lejet mjedisore të 12 subjekteve
Nisin ndëshkimet për ndotësit e mjedisit. Vetëm gjatë orëve të fundit janë revokuar lejet mjedisore të 12 subjekteve që ushtronin aktivitet në zonën pranë lumit Erzen. Task Forca për Pastrimin e Shqipërisë nga mbetjet, ka kryer një aksion pranë Urës së Beshirit në njësinë administrative Vaqarr ku ishin depozituar dhjetëra ton mbetje.Gjithashtu është çuar për ndjekje penale për ndotjen e ujit dhe ajrit, administratori i një prej firmave të riciklimit të mbetjeve plastike, ndërsa janë shoqëruar nga policia edhe 8 persona të tjerë.
Zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi u shpreh se ndëshkimi nuk është synim por një prej fazave për të arritur pastrimin e vendit
“Krimi mjedisor është një krim, i cili nuk prek vetëm një qytetar, prek një komunitet të tërë. Prandaj ka ardhur koha që ky krim të ndëshkohet dhe të ndëshkohet rëndë. Ne nuk kemi si synim të gjobisim ose të penalizojmë qytetarët ose bizneset të cilat realizojnë këto krime mjedisore, por mbi të gjitha kemi si synim të pastrojmë Shqipërinë. Dhe nëse pastrimi i Shqipërisë kalon nëpërmjet disa fazave, edhe ndëshkimi është pjesë e tyre”, tha Çuçi.
Sipas Çuçit, mobilizimi i task Forcës erdhi menjëherë pas ankesave të shumta që kanë bërë qytetarët në portalin e bashkëqeverisjes, por edhe pas disa emisioneve të cilat kanë raportuar për ndotje mjedisore në lumin Erzen. Në përfundim të aksionit zv/ministrja Çuçi apeloi qytetarët që të denoncojnë çdo rast krimi mjedisor.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.