Pengesat e Rezervës Federale – Borxhi në dollarë i Kinës mund të rikthehet në biseda
Niveli i borxhit në Kinë mund të reflektohet përsëri në takimet e politikave monetare të Rezervës Federale. Në muajin Shtator 2015, Rezerva Federale deklaroi se Kina përbënte arsyen kryesore për të vonuar rritjen e parë të normës së interesit në një dekadë. Një sasi e madhe e borxhit kinez që maturon në 5 vitet e ardhshme mund të pengojë përsëri vendimet e Bankës Qendrore në SHBA.
Dy vite më parë, reagimi erdhi me një kolaps në tregjet e kapitalit të Kinës, zhvlerësim të juanit dhe tkurrje të rezervave në valutë që tronditën tregjet financiarë dhe vonuan ndërhyrjen e radhës së Rezervës Federale. Tashmë, disa analistë thonë se obligacionet e denominuara në dollarë të Kinës mund të sjellin rreziqe që do të vonojnë përsëri ciklin tkurrës monetar në SHBA.
Deri më tani, politikëbërësit e FED nuk e kanë etiketuar zyrtarisht borxhin e Kinës si një rrezik kryesor në diskutime. Vlera e obligacioneve e emetuar në dollar nga entet kineze është 20 herë më e madhe krahasuar me vitet 2008-09, tregojnë të dhënat e Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Bazel. Obligacionet në dollarë të Kinës përbëjnë tashmë 1/3-ën e totalit të emetimeve në dollarë të tregjeve në zhvillim, nivel që është rritur me 25% që prej Shtatorit 2015.
Sipas të dhënave të institucionit në Bazel, 1/5-a e titujve në dollarë të kinës maturojnë brenda 1 viti, ndërsa rreth 50%, në 5 vitet e ardhshme. Nëse Rezerva Federale vazhdon me ciklin tkurrës monetar, atëherë kosto e borxhit në Kinë do të rritet.
Në mënyrë alternative, kompanitë kineze mund të vendosin që të rifinancojnë borxhin në valutën vendase, duke krijuar presione për zhvlerësim te juani. Të dy zhvillimet do të përhapen globalisht dhe do të krijojnë një sfidë të jashtme për politikat e FED.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.