Pengesat për vetëprodhimin e energjisë! S’ka tarifë për shitjen e tepricave/ Bizneset kërkojnë netimin vjetor. Premtohet ndryshim i ligjit
Në Shqipëri flitej pak për panelet fotovoltaike, kur ai mori vendimin për instalimin e tyre me qëllim vetëprodhimin e energjisë për biznesin që ai drejton. Alfred Marku, administrator i një hoteli dhe një fabrike qumështi, në Ishull-Shëngjin, të Lezhës thotë se gjithçka lindi si një formë për të reduktuar kostot e sipërmarrjes.
“Kur një biznes fillon të mendojë që mund të kursejë, përse të mos e bëjë investimin, pasi kjo është një ndihmë për të ardhmen: ti bën investimin dhe kursen lekët”,-shprehet Marku. “Fakti që Shqipëria ka shumë diell ishte një faktor plus që më çoi drejt kësaj praktike, që ndër të tjera është miqësore me mjedisin”,-shton ai. Panelet e teknologjisë së gjelbër janë vendosur mbi çatinë e baxhos apo thënë ndryshe të fabrikës së qumshtit dhe nënprodukteve të saj, ndërkohë që mundësojnë prodhimin e 50 këp.“Ne kemi 4-5 produkte dhe panelet mbulojnë pajisjet që funksionojë me energji elektrike: gjeneratorët, dhomat frigoriferike, kaldajat”,-tregon Marku. “Aktualisht ne paguajë për energjinë elektrike rreth 40 mijë lekë në muaj, ndërsa para instalimit të impianteve diellore shkonte rreth 70-80 mijë lekë”,-shton ai.
Fabrika e qumështit, që menaxhon Alfred Marku nuk është e vetmja që ka përzgjedhur të aplikojë një prej praktikave më të mira të bizneseve të gjelbër. Sipas të dhënave që disponon Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, vetëm gjatë vitit të kaluar kapaciteti i instaluar në vetëkonsum nga ana e sipërmarrjeve përllogaritet në 7-8 MW, një sasi e konsiderueshme për tregun shqiptar, por e vogël nëse merret parasysh potenciali që ka Shqipëria në drejtim të shfrytëzimit të diellit për prodhimin e energjisë. Sipas një hulumtimi të realizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për shkak të ngrohjes globale, Shqipëria do të përballet edhe me një rritje të energjisë diellore që rrezaton territorin, duke rritur kështu edhe më shumë potencialin e një burimi të lirë dhe lehtësisht të menaxhueshëm falë tendencës periodike gjatë ditëve.
VETËPRODHIMI
Prodhimi i energjisë nga dielli për nevoja autokonsumatore tashmë mund të realizohet nga çdo biznes, duke u orientuar drejt eficencës energjetike dhe praktikave të sipërmarrjeve të gjelbra. Kjo pasi, në qershor të vitit 2019, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë firmosi udhëzimin që mundëson lidhjen e projekteve të vogla të rinovueshme për vetëprodhuesit e energjisë elektrike nga dielli, në sistemin e shpërndarjes.
Kjo do të thotë se bizneset mund të prodhojnë energji përmes paneleve fotovoltaike, kryesisht për nevoja autokonsumatore si dhe kanë mundësi të shkëmbejë tepricën e prodhuar në rrjetin elektrik publik. Deri në mesin e vitin 2019 tregu bllokohej për shkak të mungesës së këtij akti nënligjor, që kishte krijuar jo pak probleme edhe për bizneset që kishin investuar në këtë drejtim. Kjo pasi, impiantet fotovoltaike funksiononin vetëm për të plotësuar një pjesë të nevojave vetjake për energji dhe teprica e energjisë së prodhuar “humbiste” ose në rastin më të keq i faturohej autokonsumatorit si konsum i energjisë elektrike. “Pas miratimit të udhëzimit ne kemi patur interes dhe kërkesa në rritje të bizneseve agropërpunuese apo të gjithë kategorive të bizneseve që kanë një konsum energjie të konsiderueshme”,-thotë Elton Çekrezi, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, njëkohësisht administrator i një kompanie, që operon në fushën e paneleve fotovoltaike. “Ka patur edhe një inicivativë të bankave të nivelit të dytë, për të financuar të gjithë ata klientë që janë të shëndetshëm financiarisht”,-shton ai.
Sipas procedurës së lehtësuar, një shoqëri e vogël ose e mesme, apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total më të vogël 500 këp për vetëprodhimin e energjisë elektrike nga dielli, ndërkohë që impanti duhet të vendoset në objektin e konsumatorit. “Ka 2 arsye kryesore përse një biznes apo individ mund të instalojë panele fotovoltake. Arsyeja e parë është për të ulur konsumin e energjisë elektrike e për pasojë kursimin nga faturat që vijnë si pasojë e konsumit të lartë. Ndërsa arsyeja e dytë është për disa zona specifike ku ka probleme me rrjetin apo ku rrjeti mungon totalisht, duke mundësuar vetëprodhimin e energjisë elektrike”,-ka thënë më herët për Scan Magazine inxhinieri, Bruno Papaj. “Për bizneset përfitimet janë të larta, pasi çmimi me të cilin e paguajnë energjinë është 14 lekë/këh, pa TVSH, çka bën që dhe shpenzimet për energjinë të jenë të larta”,-shtoi ai. Edhe sipas Çekrezit, benefitet e investimit në panele fotovoltaike janë të panumërta.
“Benefiti kryesor është ai ekonomik pasi shpenzimet për faturat e energjisë, biznesi i investon, çka e bën një vlerë të investuar me kursim. Gjithashtu, sigurohet pavarësia nga rritja e çmimit të rrjetit”,-thotë Çekrezi. “Kemi edhe benefitin teknik, pasi sipërmarrjet që kryejnë këto investime janë të mbrojtur nga disbalancat sepse parimi kryesor i teknologjive të reja është sigurimi i rrjetit e më pas prodhimi i energjisë”,-shton ai.
Investimi në panele diellore varet nga konsumi që ka një kompani. Sipas çmimeve të tregut kjo varion nga një investim 5 000 – 6 000 euro e deri te biznese që kanë një konsum shumë të lartë e që mund të shkojë 200 000 – 300 000 euro. Ndërkohë që, pavarësisht impantit apo çmimit, kthimi i investimit për biznese është llogaritur 4-5 vjet, por sa më i madh të jetë impianti ulen kostot për këh e për pasojë aq më i shpejtë është edhe kthimi i investimit. Edhe Çekrezi pohon se koha e kthimit të investimit ka ardhur drejt përmirësimit. ”Gjatë kësaj periudhe ka patur shtim të kompanive, duke rritur dhe konkurrencën, ndërsa në drejtim të teknologjive është rritur cilësia, pasi për të njëjtën sipërfaqe, arijnë të të japin një produkt ku arrin një rendiment më të lartë”,-thotë ai.
“Ngërçi” me përcaktimin e çmimit
Por, teksa benefitet e instalimit të paneleve diellore janë të shumta, pengesat në zhvillimin e tregut nuk mungojnë. Udhëzimi i vitit 2019-të, lejoi lidhjen e këtyre impianteve me rrjetin e shpërndarjes, teksa çdo muaj bëhet bilanci midis energjisë së prodhuar dha asaj të shpenzuar., Teprica e energjisë, më e madhe se konsumi mujor duhet t’i “shitet” furnizuesit të shërbimit universal, që është Operatori i Shpërndares së Energjisë Elektrike, me një çmim që duhet të vendoset nga Enti Rregullator i Energjisë, por deri më tani ERE nuk ka nisur proceduart për vendosjen e këtij çmimi.
Kjo situatë ka detyruar kompanitë që operojnë në fushën e paneleve fotovoltaike të propozojnë zgjidhje alternative për klientët e tyre. “Ajo që i propozojmë një biznesi është një reduktim i konsumit, jo në masën 100%, por arrijmë ta reduktojmë deri në masën 60% të konsumit vetjak”,-shpjegon Çekrezi. “Nëse do të ishte e mundur që shkëmbimi të njihej dhe tarifa e tepricës të ishte përcaktuar, sigurisht që gjithë bizneset do të kishin mundësi ta reduktonin konsumin e energjisë 100%”,-shton ai. Edhe administratori i baxhos, Alfred Marku pohon se kjo pengesë nuk e lejon të shfrytëzojë tërësisht panalet, për të vetëprodhuar të gjithë energjinë që i nevojitet. “Unë sot, ato panele i kam me gjysmë fuqie, pra jam i limituar”,-shprehet Marku.
Si përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Çekrezi thotë se iu kanë kërkuar autoriteteve që në mungesë të kësaj tarife, “përllogaritja të bëhet vjetore, sikurse është praktika botërore dhe sipas rekomandimeve të Komuniteti i Energjisë”. “Kjo do të thotë që faturimi le të bëhet mujor, por abonentit t’i lihet mundësia që tepricën ta konsumojë brenda një viti. Në rast se nuk arrin ta konsumojë brenda një viti, atëherë shumë mirë tepricat mund t’i kreditohen si bonus OSHEE-së”,-shpjegon ai.
Pyetur për këtë çështje, zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Gjergji Simaku thotë se po punohet, duke parashikuar ndryshime ligjore, që do të mundësojnë netimin vjetor, të kërkuar edhe nga grupet e interesit. “Po punojmë për ndryshime në ligj, që të lejojmë netimin vjetor dhe jo mujor të energjisë. Kjo do të linte hapësirë që ato kompani që e kanë konsumin X, të kenë mundëis të prodhojnë po X dhe nëse kanë prodhuar më tepër apo më pak, kjo netohet njëherë në vit dhe kjo sasi tepër tashmë nuk do të shitet me ndonjë metodologji, por ata do të jenë të lirë të prodhojnë për vetene tyre dhe gjithë tepricat mund t’ia falin operatorit për të cilin kanë detyrim për shkakun se e përdoin e që është Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike”,-u shpreh Simaku për Scan Magazine.
Zv. ministri nuk jep afate konkrete, por thotë se ndryshimet do të hyjnë në fuqi shumë shpejt. “Ne i kemi filluar ndryshimet ligjore, i kemi mbledhur grupet e interesit, i kemi paraqitur te ta dhe shumë shpejt ne do të vijmë me një version përfundimtar në ndryshimet ligjore, ku kjo është një nga pikat kryesore”,-tha ai.
Sipas ekspertëve, instalimi i paneleve fotovoltaike për vetëprodhimin e energjisë, jo vetëm që do të zhvillonte edhe më tej këtë degë “të ekonomisë së gjelbër” te bizneset, por do të pasohej nga përftime në ekonomi e mjedis.
“Inkurajimi i këtyre teknologjive është tejet i rëndësishëm për mjedisin. Ne e dimë që 70% të nevojave kombëtare për energji i plotësojmë nga hidro, pjesën tjetër e marrim nuk e di nga ku, por nisur nga ekonomia e tregut tentohet të merret energjia më e lirë dhe nuk e dimë se çfarë ndotjesh krijon”,-thotë Çekrezi, duke shtuar se me këto praktika të gjelbra diversifikojmë burimet e prodhimit të energjisë, që aktualisht janë të varaura në mbi 95% nga uji, çka shoqërohet me fatura tejet të larta për importin energjisë.
“Nëse do ishim më shumë të prirur politikisht apo ligjërisht, për ta lejuar më shumë në aspektin e bizneseve, sigurisht do të kishim një impakt ekonomik, social, mjedisor shumë herë më të mirë dhe pse jo të ktheheshim një nga vendet ekpsortuese dhe totalisht green në rajon”,-përfundon ai.
Nga Ola Mitre/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.