“Pengjet” e Kuvendit – Legjislatura e re, “dritë shprese” për projektligjet e mbetura në sirtar
Kuvendi i Shqipërisë me një legjislaturë të re, të nëntën në renditje, pritet të nis sesionin e dytë të punimeve të hënën e parë të shtatorit, sipas rregullores së parlamentit.
Kjo legjislaturë e dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit do të duhet që të përballet fillimisht me një sërë projektligjesh të cilat mbetën peng i legjislaturës së shkuar. Projektligjet në fjalë zgjuan shumë debate jo vetëm në sferën politike pore he atë sociale e shoqërore.
Sjellim në vëmendje ligjin “Për manaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016.
Më këtë ligj u tejkaluan të gjitha afatet për diskutimin e tij në komisionet përkatëse e si rezultat është kthyer përsëri në një projektligj i cili është kundërshtuar nga shoqëria civile, Aleanca Kundër Importit të Plehrave dhe opozita, por u mbrojt nga shumica qeverisëse dhe biznesi i riciklimit.
Dhënia me koncesion ose Partneriteti Publik Privat janë një tjerë “mollë sherri” në vendin tonë. Por për çudi edhe pse qeveria është e prirur që të jap me koncesion çdo gjë, nëse i referohemi projektligjit “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, të ndryshuar ai vijon të mbetet në sirtarët e Kuvendit.
Projektligji “Për miratimin e ndryshimit të statusit të një toke bujqësore, në zonë minerare, për shfrytëzimin e torfave për prodhimin e energjisë elektrike” duket se do të jetë përgjegjësi e legjislaturës së re për tu marrë në shqyrtim e për tu votuar.
Projektligji i depozituar në Kuvend nga ish deputeti Kadeli “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të ekspertit fiskal” vijon të mbetet në procedurë.
Ky projektligj hasi në kundërshtimin e komunitetit të biznesit dhe fati i tij do të vendoset nga Kuvendi i ardhshëm. Edhe shtesat në ligjin “Për manaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” i cili është depozituar një vit më parë në Kuvend do të jetë legjislatura e re që do të vendos për fatin e tij.
Një tjetër projektligj i mbajtur peng është ai i statusit të minatorit. Ka qenë vetë qeveria që ka premtuar shumë për krijimin e lehtësirave për minatorët nëpërmjet një statusi që do të sanksiononte të gjitha të drejtat e tyre.
Por edhe ky projektligj ashtu si edhe shumë të tjerë kanë mbetur peng i legjislaturës së shkuar, ndërkohë që një dritë shprese për diskutimin dhe votimin e tyre mbetet legjislatura e re.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.