“Pengjet” e Kuvendit! Projektligjet e lëna pezull nga legjislatura që u mbyll
Legjislatura e tetë e Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet mend për një seri skandalesh me deputetë të inkriminuar, bojkotin disamujor të opozitës, si dhe për disa ligje që shkaktuan debat të madh në opinionin publik, çka detyroi Presidentin e Republikës t’ia rikthente sërish Kuvendit për të kryer ndryshime. Por, ndonëse kishin kohën mëse të nevojshme për miratimin edhe pa ndryshime, këto ligje u “harruan” në sirtaret e ligjvënësve, pavarësisht se figuronin për t’u përfshirë për miratim në kalendaret trejavore të punimeve. Në këtë mënyrë i takon Kuvendit që do të dalë pas zgjedhjeve të përgjithshme që të miratojë këto ligje të rëndësishme.
Ligji “Për manaxhimin e integruar të mbetjeve”
Ligji “Për manaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016. Që nga ajo ditë, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat dhe afatet e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit për ridiskutimin e dekretit. Sipas nenit 86 të Rregullores, kur Presidenti kthen një ligj në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit duhet të kthejë përgjigje brenda 8 javëve. Por kjo nuk ka ndodhur.
Në këto kushte, ligji i kthyer nuk mund të miratohet duke rrëzuar dekretin e Kuvendit, por duke u futur në Kuvend si një projektligj i ri. Ligji në fjalë u kundërshtua fort nga shoqëria civile, Aleanca Kundër Importit të Plehrave dhe opozita, por u mbrojt nga shumica qeverisëse dhe biznesi i riciklimit. Në fillim të vitit 2017 u tentua që nëpërmjet disa amendimeve dhe marrjes së mendimeve edhe nga shoqëria civile, ky ligj të rifutej në procedurat parlamentare. Aleanca Kundër Importit të Plehrave (AKIP) ka shprehur rezervat lidhur me ndryshimet në ligj ndërsa theksonte se nuk ishte respektuar dekreti i Presidentit. AKIP gjykonte se importi i mbetjeve është një çështje e refuzuar në mënyrë masive nga qytetarët, jo vetëm me sondazhe me mbi 90% të popullsisë, por dhe me 65.000 firma referendare dhe me protesta të vazhdueshme.
Ligji “Për disa ndryshime në ligjin “Për Dhomat e Tregtisë’”
Më datë 29 shtator 2016, Kuvendi miratoi me 69 vota pro dhe 17 kundër një tjetër ligj të diskutueshëm, këtë herë në komunitetin e biznesit, por edhe brenda shumicës qeverisëse. Ndryshimet në ligjin “Për Dhomat e Tregtisë” synonin kryesisht që të gjitha bizneset janë të detyruara të anëtarësohen në dhomat e tregtisë, ku kategori të ndryshme të bizneseve do të paguajnë kuota të ndryshme për anëtarësimin që do të jetë i detyrueshëm. Sipas ligjit, kuota e anëtarësimit në dhomë për të gjithë subjektet tregtare që regjistrohen për herë të parë në QKB është njëqind lekë. Kuota vjetore e anëtarësimit në dhomë për të gjithë personat fizikë është jo më shumë se njëmijë lekë. Ndërsa kuota vjetore e anëtarësimit në dhomë për të gjithë personat juridikë është jo më pak se tremijë lekë dhe jo më shumë se 100 mijë lekë.
Sipas hartuesve të ligjit, iniciativa për rikthimin e anëtarësimit të detyrueshëm synon të fuqizojë dhomat dhe Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve dhe promovimin me interes të përgjithshëm në dobi të anëtarëve të tyre, me qëllim nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i 18 shoqatave të biznesit, që vetëm pak ditë pas miratimit nga Kuvendi, i kërkuan zyrtarisht Presidentit të Republikës mosdekretimin e këtij ligji. Dhe më datë 18 tetor, pra vetëm gati tre javë pas miratimit nga Kuvendi, Presidenti i Republikës nuk e dekretoi ligjin, pothuajse me të njëjtat argumente si të 18 shoqatave të biznesit.
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”
I përfshirë në procedurat parlamentare që më 16 shkurt 2016, propozimi i një grupi deputetësh sërish mbeti në sirtar. Shtesa që propozohet ka të bëjë pikë së pari me përfshirjen e aktorëve të tjerë në dhënien e “vlerësimit të alternativës” konkretisht Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Avokatura e Shtetit. Arsyeja se pse kërkohet të përfshihen këta aktorë të tjerë ka të bëjë me faktin se kontratat e koncesioneve/partneriteteve publike-private në thelb japin të drejta afatgjata për punë apo shërbime të shtetit shqiptar, kompanive private. Përpara se të vazhdohet me procedurën e koncesionit, është i domosdoshëm vlerësimi i projektit dhe mundësia nëse ky projekt mund të realizohet me një procedurë prokurimi standard.
Përfshirja e Avokaturës së Shtetit në këtë fazë, do të ndihmojë procesin e “vlerësimit të alternativës” me një asistencë ligjore të vyer. Në nenin 30, afati i kontratës së koncesionit, pika 3 parashikohet se: “Kontrata e koncesionit/partneritetit publik-privat nuk mund të lidhet për një periudhë më të gjatë se 35 vjet”. Propozuesit mendojnë se duke qenë se kontratat e koncesioneve, në thelb u japin të drejta afatgjata për punë apo shërbime të shtetit shqiptar kompanive private, miratimi i këtyre kontratave koncesionare nga Kuvendi i Shqipërisë siguron maksimizimin e garancive ligjore dhe financiare per investitorët privatë në lidhje me projektet afatgjata ku ata kanë investuar, e rrjedhimisht shërben si bazë për thithjen e investimeve të tjera të mundshme, pasi investimet e tyre do të jenë më të sigurta.
Projektligji “Për miratimin e ndryshimit të statusit të një toke bujqësore në zonë minerare ”
Qëllimi i hartimit të këtij projektligji është ndryshimi i statusit nga tokë bujqësore në zonë minerare të sipërfaqes prej 288.4 ha, për shfrytëzimin e torfave për prodhimin e energjisë elektrike, në zonën e ish-kënetës së Maliqit. Bazuar në studimet gjeologjike dhe minerare, është përcaktuar se zona e ish-kënetës së Maliqit përmban sasi të konsiderueshme torfash, materiale këto shumë të përshtatshme për djegie në impiante të prodhimit të energjisë elektrike. Për shfrytëzimin e torfave në zonën e ish-kënetës së Maliqit, në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë kanë ardhur disa kërkesa nga subjekte të ndryshme.
Qeveria është e interesuar për zhvillimin e projekteve për rritjen e prodhimit të energjisë elektrike, duke shfrytëzuar lloje të ndryshme të burimeve vendore të mineraleve energjetike me cilësi relativisht të ulëta, siç janë edhe torfat e Maliqit. Në vendin tonë, përveç vendburimeve të qymyrgurit, janë gjetur në sasi të konsiderueshme depozitime të torfave, kryesisht në zonën e Korçës (156 milionë metër kub) dhe atë të Sarandës (1.3 milionë metër kub). Torfat mbulojnë fusha, të cilat kanë qenë këneta më parë dhe kanë trashësi nga disa cm deri 3 m. Analizat tregojnë se torfat janë shumë të përshtatshme si lëndë djegëse për prodhimin e energjisë elektrike. Vendburimi i torfave në ish-kënetën e Maliqit ndodhet në fushën e përfituar nga tharja e saj. Por, edhe ky projektligj, që hyri në procedurat parlamentare që më 3 shkurt 2016, nuk u miratua dhe një nga arsyet mund të ketë qenë edhe protesta e banorëve të zonës, por edhe kundërshtimi i ambientalistëve.
Ndryshimet në ligjin për pullat fiskale
Në shkurt të vitit 2011 Ministria e Financave dhe “Sicpa Security Solutions, s.a.” lidhën një kontratë koncesionare “për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”. Qëllimi i kësaj kontrate koncesionare konsistonte në ngritjen e një sistemi me qëllim gjetjen dhe gjurmueshmërinë e produkteve që i nënshtrohen taksës së akcizës dhe pullat fiskale synojnë të shërbejnë si provë që taksa e akcizës është paguar. Por, më 7 tetor 2016 qeveria ka dërguar në Kuvend disa ndryshime në këtë kontratë.
Projektligji mbeti i bllokuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, pasi mes anëtarëve të tij nuk ka dakordësi për miratimin. Në momentin e parë të diskutimit në Komision, kryetari Erion Braçe, i cili ashtu si opozita dhe LSI shprehu skepticizmin dhe kritika për efektet e një koncesioni të tillë. Në këtë drejtim, Komisioni vendosi që t’i drejtohet me një letër Ministrisë së Financave për t’u informuar në lidhje me efektin financiar që ka pasur një koncesion i tillë vitet e kaluara, pra për të marrë shifrat në lidhje me efektet e uljes së mundshme të evazionit. Shifrat që i janë vënë në dispozicion Komisionit nuk i kanë bindur anëtarët e tij në lidhje me vazhdimin e koncesionit. Sipas këtyre ndryshimeve, për produktet farmaceutike, pulla e siguruar do të jetë 2.4% e çmimit të shitjes me pakicë të çdo produkti farmaceutik.
Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të ekspertit fiskal”
Më 21 dhjetor 2016, ish-deputeti i LSI, Gjovalin Kadeli, ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e profesionit të rregulluar të ekspertit fiskal”. Por, ky projektligj, ashtu si ai i dhomave të tregtisë, hasi sërish në kundërshtimin e komunitetit të biznesit dhe fati i tij do të vendoset nga Kuvendi i ardhshëm. Disa shoqata i kanë dërguar letër ankese kreut të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë së Drejtësisë dhe Komisionit parlamentar të Ligjeve, duke kërkuar pezullimin e tij. Ligji në thelb, sipas biznesit parashikon krijimin e një monopoli ose më saktë, dhënien e këtij shërbimi me koncesion, duke nxjerrë jashtë tregut shume ekonomistë që ofrojnë shërbime financiare prej vitesh.
Projektligji i jep kontroll mbi profesionin e këshilltarit tatimor dhe autoritet të plotë një OJF-je të vetme të quajtur Instituti i Ekspertëve Fiskalë. Roli i kësaj organizate sipas këtij projektligji tejkalon kompetencat e çdo lloj organizate profesionale duke i dhënë të drejta ekskluzive mbi anëtarësimin e plotë të profesionistëve, hartimin e provimeve të pranimit dhe programeve të kualifikimit, si dhe investigim dhe monitorim të disiplinës profesionale. Këto të drejta së bashku nuk i ka as bordi i mbikëqyrjes publike. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, problematika më e rëndësishme është kufizimi i shërbimeve të përcaktuara në projektligj vetëm për ekspertët fiskalë, duke përjashtuar profesionistët e tjerë që aktualisht i kryejnë këto shërbime.
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin “Për manaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”
Ky projektligj i propozuar nga deputeti socialist, Ulsi Manja, u depozitua në Kuvend më 28 dhjetor 2016. Sipas hartuesit, tavanet e përcaktuara nga Ministria e Financave çdo vit, kryesisht në investime, janë 3-4 herë më të ulëta se kërkesat buxhetore të paraqitura nga pushteti gjyqësor. Akordimi i buxheteve me diferenca kaq të mëdha, cënon në mënyrë të drejtpërdrejtë realizimin e objektivave, duke veçuar në rastin konkret zhvillimin e infrastrukturës ndërtimore të gjykatave.
Gjatë zbatimit të buxhetit, Ministria e Financave apo Këshilli i Ministrave, me propozim të saj, nxjerrin akte normative me fuqi vepruese brenda vitit buxhetor, të cilat kufizojnë apo për periudha të caktuara kohore brenda vitit pengojnë përdorimin e fondeve buxhetore. Aktualisht, vihet re një varësi nga ekzekutivi në zbatimin e buxhetit të shtetit, sidomos për sa u përket ndryshimeve që ndodhin gjatë vitit në buxhetin e shtetit, si dhe nëpërmjet rialokimit të fondeve. Ndonëse, kishte një kohë mëse të mjaftueshme për t’u miratuar, pasi edhe qëllimi ishte për të përmirësuar financimin e gjyqësorit, sërish edhe ky projektligj u “harrua” në sirtarët e Kuvendit.
Projektligji “Për statusin e minatorit (punonjësve të minierave në nëntokë)”
Faktikisht u premtua shumë nga qeveria për krijimin e lehtësive për minatorët nëpërmjet një statusi që do të sanksiononte të gjitha të drejtat. Dy projektligje, pothuajse të ngjashëm u depozituan në muajin mars në Kuvend, njëri nga qeveria dhe një tjetër nga deputeti i LSI, Përparim Spahiu. Ndër të tjera, në projektligj nënvizohet fakti se minatori që ka realizuar 12.5 vite nëntokë dhe 30 vite pune gjithsej, del në pension 55 vjeç, ndërsa ai që ka punuar 12, ose 11.5, ose 11, ose 10.5, ose 10 vite nëntokë etj. del vetëm 10 vjet në moshë më të shtyrë, pra 65 vjeç.
Ky projektligj sjell uljen e kufirit të vjetërsisë për të dalët në papunësi nga reformat. Ky projektligj ul kufirin e vjetërsisë së punës nga 30 në 23 vjet për ish-punonjësit e nxjerrë të papunë nga reformat. Projektligji sjell pagën minimale të nëntokës sot, më e pakta 175 % të pagës minimale zyrtare, si dhe pensionin e nëntokës sot, më e pakta 131% të pagës minimale zyrtare dhe shërbim shëndetësor falas. Numri i punonjësve që përfitojnë nga ky status është afërsisht 21.000 persona në industrinë minerare.
Dorian Koça/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.