Pension suplementar për naftëtarët, Albpetrol hap 3 sportele për shpërndarjen e dokumenteve
Kompania e naftës Albpetrol sh.a nis shpërndarjen e dokumenteve për pensionin suplementar të naftëtarëve. Referuar njoftimit zyrtar janë 3 sportele të dedikuara në Patos, Kuçovë dhe Gorisht të cilat do të jenë në dispozicion të qytetarëve.
Pak muaj më parë Kuvendi ka miratuar një ligj për trajtimin financiar të minatorëve, naftëtarëvedhe metalurgëve. Numri total i përfituesve nga të 3 kategoritë arrin në 23 mijë e 400. Nga këta, 13 mië e 300 përfitues janë minatorë.
Ligji i ri ka për qëllim të mbulojë me përfitime, përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë mbi ligjin aktual “Për sigurimet shoqërore” punonjësit e mësipërm.
Kështu, sipas dokumentit, pension shtesë do të përfitojnë minatorët që kanë 12.5 vite punë nën tokë, ndërsa për punonjësit e industrisë së naftës dhe gazit si dhe metalurgët kjo periudhë është 20 vjet. Për gratë që kanë punuar në këto të fundit, periudha e e punës është 15 vjet. Për minatorët shtesa e pensionit është 1 % për çdo vit sigurimi, ndërsa për 2 kategoritë e tjera 0.6%.
Gjithashtu, ligji i ri përcakton se për të përfituar, minatorët duhet të mbushin 55 vjeç, ndërsa naftëtarët dhe metalurgët 60 vjeç.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.