Pensionet për ish të përndjekurit që kanë punuar në miniera, nis shqyrtimi i nismës në komisionet e Kuvendit
Komisioni Parlamentar i Cështjeve Sociale shqyrton të hënen projektligjin e ri që parashikon se ish-të dënuarit politikë që kanë punuar në miniera, në nëntokë, gjatë kohës së vuajtjes së dënimit politik, do të çlirohen nga detyrimi për ta provuar këtë me anë të vërtetimit.
Projektligji parashikon njohjen e kohës së vuajtjes së dënimit politik në burgjet ku punohej në miniera, në nëntokë si punë e kryer në miniera, në nëntokë.
Nëpërmjet këtij projektligji parashikohet që koha e vuajtjes së dënimit të ish-të dënuarve politikë në burgjet ku punohej në miniera, në nëntokë, të njihet për efekt pensioni si punë e kryer në miniera, në nëntokë. Periudha njihet sa dyfishi i periudhës së qëndrimit në këto burgje. Paga llogaritet sa paga e punës në minierë.
Vërtetimi për kohën e vuajtjes së dënimit në burgjet ku punohej në miniera, në nëntokë do të lëshohet nga Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë.
Përfitues nga kjo nismë pritet të jenë 264 ish të dënuar politikë që kanë vuajtur dënimin në burgje ku punohej në miniera. Efektet financiare përllogariten përafërsisht në vlerën 4 milionë lekë për një muaj dhe do të mbulohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.