Pensionet private – AMF propozon rritje të incentivave fiskale
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka propozuar një rritje të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.
Sipas ndryshimeve të propozuara në ligjin “Për fondet e pensionit vullnetar”, AMF propozon që shuma vjetore e kontributit që nuk tatohet të rritet nga 200 mijë në 240 mijë lekë në vit.
Ligji i vitit 2009 parashikon se kontributi i bërë nga çdo anëtar i një fondi pensioni zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi, por me disa kufizime.
Ky kufi është në masën 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit. Përjashtim bëjnë personat mbi 50 vjeç, ku shuma e përjashtuar nga tatimi mund të arrijë deri në 25% të të ardhurave vjetore, por jo më shumë se 250 mijë lekë në vit.
Me ndryshimet e propozuara, AMF synon të rrisë interesin e individëve për të kontribuar në fondet private të pensioneve.
Me vendosjen e tatimit të përshkallëzuar mbi të ardhurat personale, në vitin 2014, leverdia e investimit në fondet e pensioneve private rritet, sepse një pjesë e të ardhurave të larta përjashtohen nga tatimi.
Në veçanti, ata që kanë të ardhura bruto nga paga mbi 130 mijë lekë në muaj, mund t’i përjashtojnë një pjesë të këtyre të ardhurave nga tatimi në shkallën 23%, duke i investuar në formë kontributesh në një fond pensioni.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i anëtarëve në skemat private të pensioneve në fund të vitit 2016 arriti në mbi 17 mijë individë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.