Pensionistët “ndryshojnë” buxhetin – Si do të ndahet shpërblimi për përfituesit
Buxheti i shtetit për vitin 2019 ka ndryshuar për të dytën herë pak para mbylljes së vitit, me qëllimin kryesor që të akordojë shpërblimin e pensionistëve dhe kategorive me ndihmë financiare. Akti Normativ është botuar në Fletoren Zyrtare, dhe transferta për bonusin e pensionistëve, personave me ndihmë ekonomike dhe ata me aftësi të kufizuar, është në masën e 2 miliardë lekëve, edhe pse ishte kërkuar që të akordoheshin 3 miliardë, duke mundësuar një shpërblim më të lartë se 3 mijë lekë.
Në dokument, përcaktohet se bonusi i pensionistëve, në masën 3 mijë lekë për pensionist, zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare. Pagesat respective do të kryhen në muajin dhjetor të vitit 2019 dhe gjatë fillimit të vitit 2020.
Ndërsa një ndryshim tjetër është bërë lidhur me fondin rezervë, i cili është rritur me afro 700 milionë lekë dhe përcaktohet në masën 2.2 miliardë lekë, me qëllim për tu përdorur për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme. Kjo është hera e dytë që buxheti ndryshon gjatë këtij viti, pasi ndryshimet e para u bënë pas tërmetit të 21 Shtatorit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.