Përbërja e Këshillit Kombëtar të Ujit, miratohen anëtarët e rinj
Qeveria ka miratuar së fundmi përbërjen e Këshillit Kombëtar të Ujit. Vendimi i Këshillit të Ministrave i miratuar më 18 Tetor dhe i zbardhur së fundmi në faqen e Kryeministrisë përcakton përbërjen e re të këtij organi vendimmarrës.
Konkretisht, Këshilli Kombëtar i Ujit, si organ qendror vendimmarrës është përgjegjës për administrimin e burimeve ujore të Republikës së Shqipërisë, kryesohet nga Kryeministri dhe ka në përbërje këta anëtarë:
Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit;
Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë;
Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
Ministrin e Brendshëm;
Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas vendimit, kur për shkaqe të arsyeshme, kryeministri nuk mund të marrë pjesë në mbledhje, atëherë me delegim, në vend të tij merr pjesë Zëvendëskryeministri, me të drejtë vote.
Këshilli i Ministrave, në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012 “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vendosi miratimin e këtij vendimi, si dhe shfuqizoi vendimin nr.1080, datë 18.12.2013 të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përbërjen e Këshillit Kombëtar të Ujit”. Vendimi ngarkon anëtarët e Këshillit Kombëtar të Ujit për zbatimin e tij, ndërkohë që hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”.
os.de/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.