Përdorimi i lartë i euros në Shqipëri, Jaka: Euroizimi na ndihmon për integrimin
Përdorimi i monedhës Euro në Shqipëri do të ndihmojë vendin të integrohet drejt BE-së. I ftuar në “Argument” Nikolin Jaka, kreu i Dhomës të Tregtisë dhe Industrisë në Tiranë, deklaroi se përdorimi në rritje i Euros do të rrit edhe komunikimin qytetar dhe tregtar me vendet e Bashkimit Europian.
Ju e ndjeni pozitiv apo negativ faktin që euro është një mjet pagese shumë i përdorur, ndonjëherë dhe më shumë se leku këtu në Shqipëri?
Unë mendoj që është një domosdoshmëri në rritje, për vetë faktin që rritja e përqindjes së komunikimit qoftë qytetar qoftë të komunikimit të mallrave me vendet e Bashkimit Europian e bën si një domosdoshmëri përdorimin e euros dhe tendencën e sipërmarrjes por edhe të qytetarëve për të shkuar drejt euros.
Pse jo të shihet edhe mundësia që në një fazë të konsultuar mirë edhe me institucionet financiare të ketë një iniciativë për të kaluar në monedhën e euros edhe në Shqipëri.
Është një monedhë që përdoret edhe në Kosovë edhe në Mal të Zi, në qoftë se do të kemi një ekonomi të stabilizuar dhe institucione të strukturuara mirë dhe në mënyrë të zgjuar të financave, unë jam i bindur që Shqipëria do të jetë më e përgatitur për fazën e integrimit të saj.
Po aktualisht nuk ka asnjë problem që pagesat më të mëdha janë në euro, ndërkohë që monedha ndërkombëtare është leku?
Unë mendoj që duke ruajtur balancat e komunikimit dhe qarkullimit tregtar, unë mendoj që mund të ketë një ndikim pozitiv nëse edhe përdorimi i euros do të ishte në masë, edhe nga qytetarët edhe në konsum.
Pasi do të zhdukë humbjet që i krijohen sipërmarrjes sidomos në qarkullimin e mallrave por njëkohësisht edhe qytetarëve, ne vazhdojmë të kemi të ardhura të konsiderueshme nga remitancat. Remitanca në Shqipëri pothuajse është në euro, shumë pak në monedha të tjera.
Kështu që në rastin konkret unë jam i sigurt që mbase do të ketë një ekuilibër më të mirë dhe rezultate pozitive nëse ne do të orientojmë ekonominë tonë, do të orientojmë edhe vendimmarrjen për përdorimin e euros në mënyrë që të ketë një efikasitet edhe një qëndrueshmëri të monedhës së përdorur në vend.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.