Përfaqësimi konsullor, Hyseni: 50 konsullata nuk mjaftojnë, mungojnë mundësitë financiare
Përfaqësimi konsullor për emigrantët shqiptarë është i kufizuar pasi mungojnë mundësitë financiare.
Kjo ka qenë deklarata e zv ministrit të jashtëm Halil Hyseni gjatë një aktiviteti për marrëveshjen globale për të përmirësuar menaxhimin e migracionit.
Hyseni theksoi se 1 në tre shqiptarë i rrisin fëmijët e tyre jashtë vendit ndaj vlerësoi të rëndësishme ofrimin e shërbimit konsullor On line. Sipas Hysenit një tjetër lehtësi fiskale ofron edhe bashkëpunimi konsullor me Kosovën.
“Një në tre shtetasit shqiptar punon, jeton, i rrit fëmijët jashtë vendit të tij. Nëse krahasojmë gjeografinë e shpërndarjes së emigrantëve tanë të kudondodhur në botë. Me gjeografinë e shpërndarjes së limituar të përfaqësive tona, nëse sjellim në vëmendje raportin numerik të qytetarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë evidentohet lehtas pamundësia jonë për të mbuluar me këtë shërbim këdo dhe kudo. Shqipëria, qeveria, ministria i ka këllqet e dobëta financiare për të mundësuar rritje respektive të shërbimit konsullor, ndërkohë që detyrimi ligjor mbetet. U kërkua shfrytëzimi i përparësive të elektronikës, hapjes së konsullatave të përbashkëta. U lehtësua barra fiskale, duke u bashkëndarë këtë barrë me Republikën e Kosovës”, deklaroi zv.ministri i Jashtëm Halil Hyseni.
Shefja e UNHCR-së Marie- Helen -Verney u shpreh për Tv SCAN se deklarata e New York-ut për refugjatët dhe emigrantët e pranuar tashme nga 193 shtete ka si synim ndarjen e përgjegjësive duke përfshirë edhe Shqipërinë si një ndër vendet që ka përcjellë dhe pritur shumë emigrant.
Aktualisht Shqipëria ofron për shërbime nda emigrantëve, 50 konsullata dhe 150 konsuj në të gjithë botën.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.