Përfaqësuesi i NATO-s: Anëtarësimi i Maqedonisë, vetëm pas zgjidhjes së emrit
Ftesën për anëtarësim në NATO, Maqedonia do ta marrë vetëm pasi të gjejë zgjidhje të përbashkët me Greqinë për çështjen e emrit dhe pasi të realizojë reformat e nevojshme.
Kështu ka deklaruar Ndihmës-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Taxhan Illdem. Sipas tij, NATO-ja vlerëson përpjekjet e qeverisë së re për arritjen e standardeve dhe e inkurajoi atë të mbetet e fokusuar në agjendën e reformave, me të cilën do të arrihet stabiliteti politik, raporton Alsat-m.
“Në emër të progresit dhe stabilitetit, vizioni i vetëm që duhet të ndiqni është se në demokraci, sundimi i ligjit, uniteti multietnik dhe fqinjësia e mirë, janë primare dhe jam shumë i lumtur nga fakti se ky vizion është shpërndarë dhe promovuar nga të gjithë liderët që kam takuar gjatë vizitës sime këtu. Bashkëpunimi rajonal është thelbësor nëpërmjet zgjidhjes së problemeve me fqinjët, duke luajtur rolin aktiv në iniciativa si Karta e Adriatikut tashmë po bëheni faktor prodhues i sigurisë dhe stabilitetit. Jam i kënaqur që shoh qeverinë të zgjidhë problemet e së kaluarës, t’i trajtojë me seriozitetin që meritojnë”, tha Taxhan Illdem, Ndihmës Sekretari i NATO-s për Diplomaci Publike.
Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov garantoi se qeveria do t’i kryejë të gjitha detyrat e dhëna në Samitin e NATO-s në Varshavë, duke zbatuar planin aksionar për anëtarësim.
“Me Ndihmës sekretarin e përgjithshëm të NATO-s u morëm vesh të punojmë së bashku në rritjen e dukshmërisë së Maqedonisë në NATO dhe të NATO-s në Maqedoni. Biseduam edhe për rritjen e projekteve për bashkëpunim në sfera të ndryshme. Është e qartë se na pret shumë punë edhe në shtëpi, por edhe bashkë me NATO-n që ta kompensojmë kohën e humbur dhe ta kthejmë Maqedoninë në rrugën në integrimin e sigurt në aleancë”, deklaroi ministër i Jashtëm Nikolla Dimitrov.
Illdem theksoi se në udhëtimin drejt anëtarësimit, vendi do të ketë mbështetjen e plotë të NATO-s.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.