Përfitimet ekonomike nga negociatat? Bushati: Më shumë akses në fonde! Po punojmë me shtetet skeptike
Me hapjen e negociatave për integrimin në Bashkimin Europian, Shqipëria do të fillojë të ketë akses në më shumë fonde dhe projekte. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm Parlamentar, theksoi se përfitimet do të jenë graduale dhe të shtrira në kohë, ndërkohë që vendin tonë e pret një e përpjetë e madhe, me detyrime që duhen përmbushur deri sa të arrijë në këtë pikë.
Ministri theksoi se progres raporti i Komisionit Europian ka vlerësuar pozitivisht hapat që ka bërë Shqipëria në fushën e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe liritë e të drejtat e njerëzve.
Sa i përket mënyrës si do t’i bindë vendet skeptike për të dhënë votën e tyre për hapjen e negociatave, Ministri Bushati theksoi se u ka kërkuar këtyre shteteve që të sjellin ekspertë në Shqipëri dhe të bëjnë verifikime.
Ndërsa pritet që në fund të muajit Qershor të merret vendimi për hapjen e negociatave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, disa shtete janë skeptike dhe ende nuk kanë dhënë dakordësinë e tyre. Për t’i hapur dritën jeshile këtij procesi, secili vend duhet të votojë pro.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.