Përfitonin pension dhe punonin – Falen detyrimet për rreth 1100 invalidë e minatorë
Rreth 1 mijë persona në pension invaliditeti dhe pension si punonjës të minierave, të cilët gjatë periudhës së marrjes së pensionit kanë qenë njëkohësisht edhe në marrëdhënie pune, në kundërshtim me ligjin, do tu falen detyrimet ndaj Fondit të Sigurimeve Shoqërore.
Referuar projektligjit të depozituar në Kuvend, detyrimi mesatar që do ti falet kësaj kategorie është prej rreth 300 mijë lekësh.
Pas rakordimit të të dhënave midis tatimeve dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore, kanë rezultuar të punësuar edhe ushtarakë në pension të parakohshëm, të cilët në deklaratat e tyre vjetore pretendonin të ishin të papunë, punonjës të universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titujt shkencorë apo persona që kanë kryer funksione kushtetuese dhe punonjës të shtetit.
Këtyre personave u është pezulluar përfitimi dhe iu është vlerësuar masa e debisë. Nga të gjitha shtresat e konstatuara më lart, nisur nga problematika komplekse e ardhur edhe për shkak të moskoordinimit mes institucioneve, mes tyre dhe punëdhënësve, ku personat e deklaruar invalidë të plotë nuk lejohet të punojnë dhe ato me rekomandime nga mjeku për punë në kushte të caktuara, duhet të punojnë në këto kushte, si dhe për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike të këtyre kategorive, janë përzgjedhur për të përfituar nga kjo falje rreth 1 mijë persona në pension invaliditeti dhe pension pleqërie të parakohshëm.
Ndërkohë nuk mund të jenë subjekte të kësaj faljeje personat në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi apo pension suplementar, të cilët kanë deklaruar se janë të papunë dhe vijojnë të jenë të punësuar, si ushtarakët apo punonjësit e universiteteve dhe shkollave të larta, të cilët kanë titujt shkencorë si dhe personat që kanë kryer funksione kushtetuese apo punonjësit e shtetit.
Gjithsej, në të gjithë Shqipërinë janë konstatuar 260 minatorë në pension pleqërie dhe 1 473 persona në pension invaliditeti, nga të cilët 626 invalidë të plotë dhe 847 invalidë të pjesshëm, të cilët kanë qenë të punësuar dhe kanë tërhequr pensionet.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.