Performanca e Deutsche Bank – Zhgënjen tregtia e titujve të borxhit dhe aksioneve, ul projeksionet
Huadhënësi më i madh në Gjermani, Deutsche Bank, projektoi të ardhura më të ulëta për vitin e plotë, ndërkohë që shitjet për tremujorin e dytë u goditën nga një rënie në njësinë e tregtimit të aksioneve.
Deutsche Bank theu pritshmëritë e analistëve, me një rritje të fitimit neto për tremujor në 466 milionë euro, nxitur nga reduktimet e kostove. Megjithatë, të ardhurat totale ranë me 10% gjatë tremujorit në 6.6 miliardë euro dhe huadhënësi uli projeksionet për vitin e plotë. Aksionet e bankës ranë me 4.7% në hapje të sesionit tregtar europian. Kreu ekzekutiv, John Cryan, tha se përfitueshmëria e firmës për tremujorin e dytë ishte poshtë objektivave afat-gjatë.
“Të ardhurat nuk ishin në nivelin që synonim, për shkak të aktivitetit të dobët të klientëve në tregjet e kapitalit”, tha ai. Të ardhurat në njësinë e tregtimit të letrave me vlerë ranë me 12% në tremujorin e dytë, ndërsa në tregtinë e titujve të kapitalit, pati rënie me 28%. Rënia e tregtimit të titujve të borxhit vjen paralelisht me bankat e tjera në SHBA, si Goldman Sachs, Morgan Stanley, Citi dhe JPMorgan.
Ngadalësimi i aktivitetit në tremujorin e dytë erdhi prej mungesës së eventeve në tregje që do të nxisnin rritjen e tregtisë. Në të njëjtën periudhë një vit më parë, në tregje mbizotëronte vendimi i Britanisë për të dalë nga Bashkimi Europian.
Provigjonet për veprime të mundshme ligjore në të ardhmen ranë në 2.5 miliardë euro për tremujorin, pasi banka ka zgjidhur çështje si akuzën e autoriteteve në SHBA për shitjen e letrave me vlerë të kolateralizuara gjatë krizës financiare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.