Përfshirja në skemën e TVSH-së! Tabaku: Nga 1 Prilli, biznesi i vogël drejt falimentimit
Sipas Partisë Demokratike, tregtarët e vegjël në Tiranë janë të revoltuar nga përfshirja e tyre në skemën e TVSH-së, çka do të thotë se nga 1 prilli kostot e tyre do të rriten, fitimi do të ulet dhe shumë prej tyre janë në rrezik falimentimi.
Nënkryetarja demokrate e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku u takua me disa nga tregtarët e vegjël, të cilët iu shmangën identifikimit për shkak të frikës nga tatimorët. Sipas Tabakut rritja e taksave për biznesin e vogël vjen paralelisht me uljen e taksave për miqtë dhe klientët e Edi Ramës, të cilët me hotelet e tyre me 5 yje do të paguajnë zero tatim fitim dhe 6 përqind TVSH.
Arsyet e pragut të falimentit, thonë bizneset, janë taksa e Bashkisë së Tiranës për shkollat, të cilën e paguajnë brenda një njësie bashkiake, tre herë, rënia e xhiros me 30% çdo vit, rënia e fuqisë konsumatore, emigrimi i qytetarëve.
Rritja e taksave dhe vendosja e bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së është kundërshtuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata e Biznesit të Vogël shqiptar, si një skemë falimentuese.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.