Përfundimi i ‘Nyjës Milot’– ARRSH hap tenderin 1.3 mld lekë për mbylljen e punimeve dhe rrugët dytësore
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur procedurat e tenderimit për përfundimin e punimeve të mbetura dhe plotësimin me rrugë dytësore të Nyjës Milot.
Punimet do të përfshijnë përfundimin e tyre për vënien në funksion të Nyjës së Milotit, në kuadër të objektit Milot – Lezhë – Rrëshen – Thumanë, që është pjesë e rrjetit rrugor kombëtar dhe i përket si korridorit Veri – Jug, ashtu edhe aksit Durrës – Kukës – Morinë.
Sipas detajeve të projektit, një investim i cili parashikon një fond limit prej 1.3 miliardë lekë, do të përfshijë ndërtimin e një rruge në kryqëzimin e autostradës Milot – Rrëshen – Kukës – Morinë dhe asaj Fushë Krujë – Milot – Lezhë. Nyja përfshin dy akse dhe katër rampa, konkretisht:
Aksi Milot-Fushë Krujë
Aksi Fushë Krujë – Lezhë
Rama Fushë Krujë – Milot
Rampa Milot – Lezhë
Rampa Milot – Fushë Krujë
Rampa Lezhë – Milot
Projekti përfshin gjithashtu vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale. Ndërkohë, sa i takon rrugëve dytësore, ato do të ndërtohen për shkak se kompletimi i nyjës nuk zgjidh përfundimisht problemin e aksesit të banorëve dhe bizneseve përreth në autostradën re.
Janë gjithsej 7 rrugë kryesore dhe 13 rrugë të brendshme të përfshira në projekt të cilat janë të pozicionuara në Bashkinë Kurbin. Po ashtu, për shkak të zgjerimit të rrugëve ekzistuese është parashikuar edhe ndërtimi dhe zëvendësimi i kanaleve vaditëse.
Gara për tenderin do të qëndrojë e hapur deri në datë 21 qershor 2018. Ndërsa, sa i takon kohëzgjatjes së punimeve, parashikohet një periudhë kohore 15 muaj prej nënshkrimit të kontratës.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.