Përfundimtare/Mbyllet Eurobondi €500 mln – Oferta 1.25 miliard euro, interesi 3.55%
Qeveria shqiptare ka realizuar me sukses eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare.
Referuar të dhënave të Thomson Reuters, oferta ka qenë mjaft e lartë, në rreth 1.25 miliardë euro, nga 500 milionë euro që kërkonte qeveria shqiptare.
Yieldi përfundimtar i këtij eurobondi është 3.55%, shumë më i ulët krahasuar me interesin prej 5.75% të paguar për eurobondin 450 milionë euro, të emetuar në vitin 2015. Përpara se ankandi të mbyllej interesi i pritshëm ishte nga 3.6%-3.7%.
Data e maturimit të këtij eurobondi të tretë prej 500 milionë euro, është 9 nëntori i vitit 2025. Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer përpara kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.