Përfundon “frika” fiskale, Irena Beqiraj jep shifrat: Të ardhurat dhe shpenzimet brenda parametrave
Frika e përhershme fiskale e shfaqur në secilën fushatë zgjedhore shqiptare duket se këtë herë mungon. Zv/ministrja e Financave Irena Beqiraj ka treguar shifrat më të fundit të të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetin e shtetit për 5 mujorin 2017. Krahas rritjes së të ardhurave dallohet mungesa e ndërhyrjeve partiake në buxhetin e shtetit.
“Do të vazhdojmë ta ruajmë stabilitetin makro-fiskal sepse është i vetmi parametër i parë që tregon se ekonomia shqiptare ka një vazhdueshmëri të qëndrueshme. Në momentin që prishim stabilitetin makro-fiskal edhe pse mund të njohim ose mund të perceptojmë rritje në momente, muaj apo vite zgjedhore kuptohet që ato do të kthehen në vuajte për vitet e ardhshme”, thotë Beqiraj.
Por analiza nuk duhet të bëhet vetëm në mungesën e ndërhyrjes së partive në buxhet, por dhe në rezultatet konkrete të shëndoshjes së thesarit të shtetit. Lidhur me këtë Zv/ministrja e Financave ka treguar ekskluzivisht për SCAN të dhënat zyrtare deri në 31 Maj 2017.
“Të ardhurat e përgjithshme në buxhetin e shtetit, jo vetëm në tatime dhe dogana janë më shumë se sa plani 6.2 për qind. Në rast se bëjmë krahasimin fakt-fakt janë më shumë se sa 6.2 për qind, janë aty rreth 7 për qind më tepër se sa fakt-fakt. Po ashtu po të shikojmë edhe shpenzimet të paktën për 5 mujorin, dhe këto janë të dhënat e fundit që ende nuk kanë dalë por që po ua jap unë për herë të parë, shpenzimet e përgjithshme sipas planit janë 169 miliardë lekë. Nga kuadrimet e para që ne kemi bërë i bie të kemi shpenzuar 164 miliardë lekë, pra jemi edhe më pak se sa plani”, pohoi Beqiraj.
Deri më sot, dëmtimi elektoral ka qenë një ndër problemet kryesore të qëndrueshmërisë së financave publike, praktikë e cila me sa duhet ka shanse të zhduket në të ardhmen e afërt.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.