Përfundon investimi në njësinë 8 – Veliaj: Rehabilituam një bllok banimi prej 47 hektarë
Përfundon investimi për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në njësinë numër 8 në kryeqytet. Sipas kreut të bashkisë Erion Veliaj, tashmë banorët kanë rrugë të reja, që i përgjigjen standardeve duke transformuar zonën .
“Ky është vetëm mandati ynë i parë, por në Njësinë 8 nuk ka pasur asnjëherë kaq shumë investime. Në të kaluarën, Njësia 8 ka prodhuar edhe kryetarë bashkie, edhe nënkryetare bashkie, por nuk do të thotë që të qenit çun apo gocë e lagjes përkthehet në punë. Përkthehet ndoshta në manipulim të votuesve, por jo në punë konkrete; besoj se e kemi provuar që punë konkrete mund të bëjë vetëm kjo administratë. Banorët e Njësisë 8 janë treguar qytetarë model, duke nisur nga zonat e saj të vjetra, me tironsit e vjetër, me ata që kanë qenë të parët që lenë një metër për të tërhequr avllinë e tyre që të kalojnë familjarët, prindërit, parapelgjikët, nënat me karrocë”, tha ai.
Sipas kreut të bashkisë, çdo votë e qytetarëve do të përkthehet në investime duke nënvizuar se vetëm në këtë njësi investimet e kryera janë dyfishuar përfshirë edhe ndërhyrjet në infrastrukturën arsimore
“Besoj se i jemi përgjigjur Njësisë 8, ashtu siç njësia na është përgjigjur ne. Njësia 8 na ka dhënë një besim të fortë në dy votime rradhazi, kurse ne i jemi përgjigjur me dyfishimin e investimeve në këtë njësi. Kemi një paketë me 50 rrugë, 47 ha, pra një bllok të tërë; “4 Dëshmorët”, “Qemal Stafa”, Rr. e ‘Dibrës’”. Jo vetëm kaq, por kemi ndërhyrë edhe në shkolla, duke filluar nga ‘Shkolla e Kuqe’, shkolla “Servete Maçi” që po bëhet e re, pastaj në të gjitha çerdhet e kopshtet”.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.