Përgjigjia e Komisionit për koronavirusin – “BE nuk ka planifikuar ende pezullimin e udhëtimeve”
Komisioni Europian deklaroi në nisje të Javës se Europa nuk po konsideron ende të pezullojë udhëtimet brenda zonës Shengen, pas përhapjes së virusit në Itali. Komisionerja e shëndetësisë, Stella Kyriakides tha në një konferencë se kufizimet në udhëtim në zonën Shengen nuk janë këshilluar, por shtoi se çdo masë që ndërmerret duhet të jetë e koordinuar. Ajo tha se një ekip i Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të niset në Itali këtë Javë për të vlerësuar situatën
“Theksojmë se aktualisht, Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk ka këshilluar kufizime në udhëtim dhe tregti. Ekzistojnë masa të ndryshme tek vendet anëtare dhe këto janë aplikuar në javët e fundit. Për ne është e rëndësishme që masat e ndërmarra të jenë të koordinuara dhe të gjejmë një përgjigje të përbashkët për Bashkimin Europian” është shprehur Stella Kyriakides, Komisionerja e Shëndetësisë në BE.
Komentet vijnë pasi Austria ndaloi shërbimet e trenave ditën e Diel për 4 orë, pasi 2 udhëtues dyshoheshin se ishin të infektuar me koronavirus. Komisioneri i menaxhimit të krizave, Janez Lenarcic, tha se BE do të ofrojë 230 milionë euro për të trajtuar epideminë dhe thuajse gjysma e kësaj shume do të shkojë tek Organizata Botërore e Shëndetësisë
“Prej këtyre 230 milionë euro, 114 milionë do të shkojnë tek Organizata Botërore e Shëndetësisë, që ka bërë thirrje për përgatitje botërore. 15 milionë të tjera do të mbështesin vendet partnere në fuqizimin e përgatitshmërisë. 100 milionë euro do të drejtohen në hulumtim dhe zhvillimin e një vaksine, që do ketë përfitime botërore”, është shprehur Komisioneri i Trajtimit të Krizave, Janez Lenarcic.
Katër persona kanë vdekur në Veri të Italisë dhe mbi 200 janë konfirmuar të infektuar me koronavirusin, duke e kthyer në vendin më të ndikuar jashtë Azisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.