Përgjysmohet “PBB” i ISIS – Humbja e territoreve shkakton “hemorragji” të ardhurash
I ashtuquajturi shteti islamik prej kohësh gjendet në një krizë të thellë financiare, dhe jo vetëm.
Për t’i bërë ballë kësaj krize, drejtuesit e grupit terrorist kanë provuar metoda të ndryshme, duke arritur edhe të përgjysmonin pagat e ushtarëve. Madje kanë vënë në shtije edhe pengjet e luftës.
Por, me humbjen e thuajse gjysmës së territoreve, çdo përpjekje duket se ka qenë e kotë. Lufta ndaj të ashtuquajturit shteti islamik nga fuqitë e huaja është përqendruar pikërisht në këtë pikë.
ISIS është grupi terrorist më i pasur që ka njohur ndonjëherë bota, dhe shkatërrimi i kësaj pasurie është vlerësuar si kali kryesor i betejës.
Me përgjysmimin e territoreve nën kontroll nga ISIS, këtyre të fundit iu është përgjysmuar edhe numri i puseve të naftës, si dhe i taksave që mbledhin. Në harkun e dy viteve, “Prodhimi i Brendshëm Bruto” i terrorit është përgjysmuar.
Humbjet në të ardhura po vijojnë me ritme të frikshme aq sa, nuk është e guxuar të themi se, të ashtuquajturit “kalifat” po i vjen fundi. Pa para, asnjë luftë nuk mund të çohet përpara.
Prej vitit 2014, ISIS ka humbur 30% të territoreve në Siri, dhe 62% në Irak. ISIS vlerësohej se kishte një pasuri prej pak më shumë se 2 miliardë dollarë. Aktualisht, kjo pasuri vlerësohet në vetëm 870 milionë dollarë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.