Përhapen efektet e lirës turke – Valuta e Indisë pëson rënien më të madhe, ndërhyn banka qendrore
Rupija indiane preku nivelin më të ulët të të gjitha kohërave prej 69.6 kundër dollarit amerikan ditën e Hënë, duke ndjekur trazirat në tregjet në zhvillim, që erdhën prej krizës së valutës në Turqi. Banka Qendrore e Indisë ndërhyri për të frenuar rënien e valutës.
Rupija u rimëkëmb lehtë nga niveli rekord i ulët, në 68.8 dollarë pas lëvizjes së Bankës Qendrore. Interesat e titujve 10-vjeçarë të borxhit u rritën në 7.8%. Investitorët u drejtuan drejt aktiveve të sigurta si dollari amerikan dhe jeni japonez, pas rënies së lirës turke që solli rënien e të gjithë valutave të tregjeve në zhvillim.
Lira ka rënë me rreth 45% kundër dollarit deri më tani për vitin, prej shqetësimeve të rritjes së kontrollit të presidentit Erdogan në ekonomi.
Sipas analistëve të këmbimit valutor në Indi, shpenzimet e mëdha në dollarë nuk mund ta shpëtojnë dot rupinë, ndërkohë që forca e rënies në tregjet në zhvillim është kaq e fortë.
Sipas tyre, niveli tjetër kritik është në 69.8 kundër dollarit amerikan. Investitorët do të vëzhgojnë gjithashtu të dhënat për inflacionin në Indi, për të kuptuar drejtimin e tregut.
Indeksi i çmimeve të konsumit arriti në 5% gjatë muajit Qershor. Kolapsi i valutës turke të Dielën në mbrëmje goditi aksionet aziatike, randin e Afrikës së Jugut dhe rriti kërkesën për aktive të sigurta si dollari, franga zivcerane dhe jeni japonez.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.