Përjashtimi i familjeve nga skema ekonomike – Basha: Do formalizojmë nesër kërkesën për një debat me mocion
Opozita do të formalizojë nesër një debat me mocion në kuadër të përjashtimit të familjeve në nevojë nga skema ekonomike. Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Opozitës, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Parlamentar.
Sipas tij, kohën më të madhe në mbledhja e ka marrë pikërisht kjo çështje, duke e cilësuar përjashtimin e tyre si të paligjshme. Basha u ka bërë apel edhe mediave që të vendosin këtë temë në qendër të vëmendjes.
Ndërkohë, ka akuzuar ministren e Shëndetësisë, se mban të fshehur informacionin mbi kriteret të cilat përjashtuan këto familje në nevojë.
“Prej dy javësh ministrja e cila duhet të çohet për ndjekje penale në vlerësimin tim, mban fshehur informacionin se mbi çfarë kriteresh u hoqën nga skema e ndihmës ekonomike. Përflitet se kriteret parësore janë prania e një televizori apo frigoriferi, ndonëse shumica dërmuese që ne kemi vizituar s’kanë as frigorifer as televizor, por edhe në ato raste kur mund të kenë një televizion të dhuruar nuk përbën një kriter për t’i përjashtuar.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.