Përjashtimi nga TVSH – Peleshi: Hiqen mjetet e bordit, përfitojnë 500 anije
Mjetet e bordit të anijeve, rrjetat apo mjetet elektro-mekanike do të përjashtohen nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Lajmi është bërë me dije nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, i cili shtoi se nga kjo masë lehtësuese përfitojnë rreth 500 anije.
“Sot brenda këtij viti në paketën e re fiskale, pra ne sot po punojmë që në paketën fiskale për vitin 2018, të futim përjashtimin nga tatimi i vlerës së shtuar për gjitha mjetet e bordeve të anijeve. Unë e pashë sot edhe nga afër dhe sa më thanë që për një anije, investimi për një anije, mjete bordi, rrjeta, apo mjete elektro- mekanike etj, që unë nuk i njoh shumë, shkon 20000 mijë euro në vit. Pra përjashtimi nga TVSH-ja për një anije, është i konsiderueshëm, shto pastaj 200 apo 218 në mos gaboj anije mbi 12 m, dhe në total numri shkon mbi 500 anije në vendin tonë”.
Sipas Peleshit kjo masë do të formalizojë sektorin e peshkimit në vend.
“Formalizon sektorin, sepse deri dje duke qenë se kostoja ka qenë e madhe, dhe ne jemi te vetëdijshëm që një pjesë ndiqte rrugë informale, ndërsa sot me përjashtimin nga tatimi i vlerës së shtuar, sektori formalizohet edhe të njëjtën kohë mbështetet me një ulje të kostos, që do të jetë e ndjeshme mesa kuptova edhe sot. Përveç lehtësimit të uljes kostove financiare, ne do të ulim dhe kostot administrative apo burokratike apo logjistike.”
Deklaratat e ministrit u bënë gjatë një bashkëbisedimi me peshkatarë në portin e ri të peshkimit në Durrës.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.