Përkeqësohen Financat e Britanisë – Zgjerohet deficiti, inflacioni i lartë rrit kostot e borxhit
Deficiti publik në Britani u zgjerua sipër pritshmërive për muajin qershor, ndërkohë që inflacioni i lartë që prej daljes nga Bashkimi Europian ka detyruar qeverinë që të paguajë më shumë interes për borxhin.
Deficiti qëndroi në 6.854 miliardë paund në muajin qershor, në rritje me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, deklaron zyra Kombëtare e Statistikave.
Hendeku i muajit qershor ishte sipër projeksioneve të analistëve prej 4.8 miliardë paund. Në tre muajt e parë të vitit financiar, deficiti në buxhet u zgjerua me 8.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, në 22.8 miliardë paund.
Ministri i Financave, Philip Hammond, është vënë nën presion nga partia e tij Konservatore si dhe nga opozita Laburiste, për të rritur shpenzimet publike.
Shpenzimet në interesat e borxhit u rritën në një normë vjetore prej 33% në qershor, në 4.9 miliardë paund.
Deficiti u zgjerua gjithashtu nga pagesat më të larta drejt buxhetit të Bashkimit Europian dhe blerjeve më të mëdha të mallrave e shërbimeve nga qeveria.
Britania është përpjekur të përmirësojë financat publike që kur deficiti në buxhet u rrit në rreth 10% në raport me PBB në vitin 2010, pas krizës financiare.
Hammond po i qëndron planit të tij për një buxhet të balancuar deri në mesin e dekadës që vjen, pavarësisht se ka pak hapësirë për të manovruar, duke patur mundësi për të shpenzuar më shumë nëse do të duhet të mbështesë ekonominë pas daljes nga Unioni.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.