Përkeqësohet demokracia në Shqipëri – “Freedom House”: Niveli më i ulët që prej 2013, ndikuan zgjedhjet lokale
Demokracia në Shqipëri është përkeqësuar thotë “Freedom House” në raportin më të fundit për demokracinë në vendet në tranzicion. Në total janë 29 shtete, kryesisht të Europës qendrore dhe lindore si dhe të Azisë qendrore, të gjitha vende të dala nga diktatura të stërgjatura. Shqipëria shënon rënie në indikatorin e përgjithshëm të “Freedom House” për demokracinë, duke prekur nivelin më të ulët që prej vitit 2013.
Janë dy, indikatorët të cilët kanë nxitur një rënie të tillë. Së pari ai që i referohet qeverisjes demokratike, dhe së dyti ai që i referohet procesit elektoral. Te ky indikator peshojnë së tepërmi zgjedhjet e fundit lokale, pa prezencën e opozitës. Edhe dalja e kësaj të fundit nga Parlamenti merr vëmendje të veçantë nga “Freedom House”, që është edhe organizmi më i njohur ndërkombëtarisht sa i përket vlerësimit të demokracisë. Me një pikëzim në 3.82 të demokracisë, korrupsioni, qeverisja demokratike dhe gjyqësori janë tre indikatorët më të dobët.
Në rajon, demokracia vlerësohet e përkeqësuar edhe në Serbi dhe Mal të Zi, ndërkohë që është përmirësuar në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në Bosnje Hercegovinë nuk ka ndryshime. Sa i përket krahasimit në renditje me rajonin, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina cilësohen me një nivel demokracie më të dobët se ne, ndërsa Serbia dhe Mali i Zi marrin një vlerësim më të lartë.
Raportin e ka komentuar edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta, sipas të cilit, përfundimet e tij janë një këmbanë alarmi. “Është koha për një ringritje të menjëhershme dhe për një trajektore të re të demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut, me qëllim përmbushjen sa më parë të kushteve të vendosura nga Bashkimi Europian, me qëllim integrimin e plotë të vendit pa zvarritje të mëtejshme”, shkruan Presidenti Meta në rrjetet sociale.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.