Përmbysen bursat botërore – Rezerva Federale shkakton lëkundje të forta në të gjithë botën
Bursat botërore u përmbysën ditën e Enjte, pasi Rezerva Federale në SHBA nuk u tërhoq nga rritja e normave të interesit pavarësisht shenjave se ekonomia globale po ngadalësohet. Udhëzimi i bankës për të vazhduar rritjen e interesave në 2 vitet e ardhshme shkaktoi lëkundje që u përhapën në të gjithë botën dhe investitorët i’u drejtuan aktiveve të sigurta si borxhi qeveritar.
Bursat europiane ranë ndjeshëm, me indeksin gjerman DAX 30, atë të Britanisë FTSE 100 dhe Francës CAC 40, që prekën nivelin më të ulët që prej Dhjetorit 2016. Treguesi MSCI për bursat globale ra në nivelin më të ulët që prej Majit 2017, duke humbur 0.4%, në ditën e 5 radhazi të rënies. Banka Qendrore uli projeksionet për 2 lëvizje në vitin 2019, por kjo dështoi të largojë shqetësimet e tregjeve për një ngadalësim ekonomik në SHBA.
Trazirat në tregjet e kapitalit bënë që investitorët t’i drejtohen aktiveve të sigurta si titujt qeveritarë të borxhit. Yieldi 10-vjeçar në Gjermani ra në nivelin më të ulët në 7 muaj dhe tituj të tjerë në Eurozonë pësuan rënie gjithashtu. Interesat 10-vjeçare të Thesarit në SHBA, ranë në 2.75%, niveli më i ulët që prej muajit Prill.
Rritja e normave afat-shkurtër të interesit dhe rënia e atyre afat-gjatë, shtuan shqetësimet për një përmbysje të kurbës së yield-it, që historikisht ka qenë tregues i një recesioni. Interesat 2-vjeçar të borxhit amerikan qëndruan në 2.656%, vetëm 0.09% poshtë titujve 10-vjeçar.
Një tjetër aktiv i cenuar nga lëvizja e bankës qendrore ishte dollari amerikan. Valuta e gjelbër ra kundër të gjitha valutave kryesore. Indeksi i dollarit që mat performancën kundër shportës kryesore humbi 0.4%, në 96.68 pikë, që është niveli më i ulët në 10 ditë. Euro u rrit me gati 1% kundër dollarit, duke prekur $1.1475.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.