Përmirësohen bankat greke – Coeure: Situata e likuiditetit, bindshëm më e mirë
Likuiditeti i bankave helene është përmirësuar ndjeshëm, por rikthimi i depozituesve po ecën me një hap tepër të ngadaltë, dhe vetëm së fundmi ka rinisur, deklaroi një prej zërave më aktiv brenda Bankës Qendrore Europiane, Benoit Coeure.
“Kryefjala është që, situata e likuiditetit është përmirësuar ndjeshëm”, deklaroi Coeure gjatë një konference për shtyp nga Talin i Estonisë në punimet e takimit të ministrave të financave të eurozonës dhe Bashkimit Europian.
Ndër të tjera, Coeure shtoi se, për të përmirësuar më tej besimin e investitorëve dhe kreditorëve, Greqia duhet të përfundojë me sukses rishikimin e ardhshëm të programit të shpëtimit, që është i treti në radhë, dhe që duhet mbyllur brenda fundit të këtij viti.
Të dhënat e fundit tregojnë se, fondet emergjente ndaj huadhënësve grek ranë me 3.7 miliardë euro, ose 11% gjatë muajit Gusht, çka tregon se, institucionet kredidhënëse në vend kanë shumë më pak nevojë për likuiditet.
Me daljen e vendit nga programi i shpëtimit, në verën e vitit të ardhshëm, Greqisë do t`i ndërpritet thuajse çdo mundësi financimi nga jashtë, çka detyron bankat në vend që të rimëkëmben plotësisht në harkun e një viti.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.