Përmirësohen financat e Britanisë – Hammond arrin objektivin në uljen e defiçitit, arrin në 2.1% të PBB
Ministri britanik i Financave, Philip Hammond, arriti objektivin e tij në uljen e deficitit në buxhet në vitin financiar 2017/2018 që sapo ka përfunduar. Defiçiti për periudhën 1 vjeçare që përfundoi në Mars, qëndroi në 42.6 miliardë paund, që është më i ulëti që prej vitit financiar 2006 dhe 8% më pak krahasuar me 2016-ën. Hendeku i të ardhurave dhe shpenzimeve të Qeverisë rezultoi gjithashtu poshtë projeksioneve të organit mbikëqyrës prej 45.2 miliardë paund.
Hammond ka caktuar prioritet ndreqjen e financave publike, pavarësisht se ka pasur një qasje më pak aktive se ish ministri George Osborne, i cili “trashëgoi” një deficit në 10% të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2010. Të dhënat e kësaj jave treguan se deficiti ra në 2.1% të Produktit të brendshëm Bruto. Vetëm për muajin Mars, deficiti buxhetor qëndroi në 1.3 miliardë paund, në rënie me thuajse 37% nga e njëjta periudhë e një viti më parë, sipas zyrës së Statistikave në Londër.
Borxhi publik qëndroi në 1.79 trilionë paund, apo në 86.3% të PBB, në rritje nga 85.3% që ishte në vitin financiar 2016 dhe thuajse sa dyfishi i nivelit që ka qenë përpara krizës financiare. Borxhi neto i sektorit publik është fryrë edhe prej efektit të përkohshëm nga prezantimi i skemës së huadhënies nga Banka e Anglisë pas referendumit. Hammond ka caktuar objektiv uljen e borxhit në raport me PBB në vitin financiar që nisi këtë muaj. Duke hequr efektin e skemës së Bankës së Anglisë, borxhi neto ka rënë në raport me PBB.
Të dhënat e kësaj jave treguan se hyrjet nga tatimi mbi të ardhurat dhe kthimi ndaj kapitalit, u rritën me 6.1% në muajin Mars, ndërsa të ardhurat nga taksa koorporative u rritën me 2.2%. Pagesat e interesit të borxhit ranë me 75% në Mars, por treguan rritje me më shumë se 12% në vitin e plotë. Rritja e inflacionit rriti shumën që qeveria paguan në interesa të borxhit. Thuajse 30% e titujve qeveritarë të borxhit në Britani janë të lidhur me inflacionin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.