Përmirësohet besimi në ekonomi – TNE në rritje me 1.6 pikë. Mirë konsumatori, tregtia dhe shërbimet, keq industria
Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) për muajin qershor regjistrohet në rritje me 1.6 pikë krahasuar me muajin maj, tregojnë të dhënat më të fundit nga Banka e Shqipërisë. Institucioni nënvizon se, TNE-ja vijoi prirjen përmirësuese për të shtatin muaj radhazi. Niveli aktual i treguesit arriti në 105.7, duke qëndruar 5.7 pikë mbi mesataren afatgjatë. “Dinamika pozitive e TNE-së në muajin qershor u përcaktua kryesisht nga rritja e besimit në sektorët e shërbimeve dhe të tregtisë. Gjithashtu, besimi konsumator u përmirësua por në një masë më të vogël.
Nga ana tjetër, besimi në sektorin e industries shënoi rënie, ndërsa besimi në sektorin e ndërtimit mbeti në nivel të përafërt me vlerat e muajit të kaluar”-sqaron Banka e Shqipërisë. Kështu, sa i përket treguesit të besimit konsumator, regjistrohet në rritje me 0.4 pikë përqindje krahasuar me muajin paraardhës, duke marrë shtysë kryesisht nga pritjet për situatën ekonomike në të ardhmen si dhe nga pritjet për situatën e tyre financiare. Komponenti i blerjeve aktuale të mëdha ndërkohë regjistrohet në rënie krahasuar me muajin maj, tregojnë të dhënat.
Treguesi i besimit në shërbime ndërkohë është ai që regjistron rritjen më të madhe mujore, me 4.1 pikë përqindje. Më pas ndjek ai i besimit në tregti, në rritje me 2.1 pikë përqindje. Sa i përket treguesit të besimit në industri, vihet re një rënie prej 2.1%, ndërkohë që ai i besimit në ndërtim është në nivele të njëjta me muajin maj.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.