Përmirësohet klima e biznesit në Gjermani. Kompanitë shohin “dritë në fund të tunelit”, IFO: Rritja më e madhe në histori
Morali i biznesit në Gjermani tregoi rritjen më të fortë në historik gjatë Qershorit dhe ekonomia më e madhe e Europës duhet të rikthehet në rritje gjatë tremujorit të tretë, pasi pandemia e koronavirusit goditi prodhimin në Pranverë.
Instituti për Hulumtime Ekonomike, IFO, deklaroi se sondazhi i kompanive për muajin qershor ka treguar një rritje të indeksit të klimës së biznesit në 86.2 pikë, nga një 79.7 pikë në Maj, që është rritja më e madhe që prej nisjes së regjistrimeve në vitin 1990.
Vlerësimi i kompanive për gjendjen aktuale është më pozitiv. Megjithatë, pritshmëritë e tyre për të ardhmen janë rritur ndjeshëm. Biznesi gjerman sheh dritën në fund të tunelit, sipas presidentit të institutit, Clement Fuest. IFO deklaroi se ekonomia duhet të rikthehet në rritje në tremujorin e tretë, pas një tkurrjeje rekord në periudhën Prill-Qershor. “Kemi kaluar pikën më të ulët dhe gjërat janë pozitive tani e tutje. Pritshmëritë për eksportet janë rritur ndjeshëm”, deklaroi IFO.
Sistemi i fortë i kujdesit shëndetësor dhe testimet e mëdha, kanë ndihmuar Gjermaninë që të ulë ndjeshëm normën e vdekshmërisë së Covid-19, në krahasim me homologët europianë. Megjithatë, ekonomia më e madhe e Europës po përballet me recesionin më të keq që prej Luftës së Dytë Botërore dhe qeveria projekton një tkurrje me 6.3% për vitin e plotë 2020. Qeveria synon që paketa e stimujve prej 130 miliardë euro të mbështesë ekonominë më vonë gjatë vitit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.